Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur ta përfundojë numërimin e votave as në një të katërtën e komunave. Në tri komuna në veri të Kosovës ky proces ende nuk ka nisur. Të shtunën nuk është raportuar për probleme teknike, por janë evidentuar mosmarrëveshje mes vëzhguesve të partive politike nëpër qendra të numërimit
Një javë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka arritur ta përmbyllë numërimin e votave për kandidatët për deputetë, as në çerekun e komunave.
Deri të premten në mesnatë, KQZ-ja njoftoi se numërimi ka përfunduar në 9 komuna.
“Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 9 qendrat komunale të numërimit (QKN) në komunat: Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Junik, Han i Elezit, Partesh, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Të shtunën, numërimi ka nisur në Mamushë. E, në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok nuk ka filluar.
Nga 2 mijë e 533 vendvotime, KQZ-ja ka bërë të ditur se janë numëruar votat e hedhura në 1 mijë e 170 sosh apo në 46.19 për qind të tyre.
Gjatë së shtunës, në qendrat komunale nuk është raportua për probleme me sistemin, rrjetin e internetit a energjinë elektrike. Por, telashe pati mes vëzhguesve lidhur me vlefshmërinë e fletëvotimeve. Një problem i kësaj natyre u shënua edhe në Prishtinë, për një fletëvotim, në të cilin shenja e votës ishte te Vetëvendosja, por pati mbishkrim në rubrikën e partisë Fjala.
“Janë dy subjekte të prekura. Ligji e thotë qartë, është edhe në rregullore, kjo është e pavlefshme”, u shpreh njëri nga vëzhguesit.
E në Qendrën Komunale të Numërimit në Fushë-Kosovë, ndonëse thanë se procesi ka shkuar pa pengesa, një siguresë e energjisë elektrike e ndërpreu rrymën për pak minuta, por nuk shkaktoi pasoja në numërimin e bërë deri në atë moment, meqë sistemi i ruajti të gjitha ndryshimet.
Në këtë komunë, nga 58 kuti të rregullta, prej të mërkurës pasdite e deri të shtunën në mesditë, kanë arritur t’i përfundojnë së numëruari rreth 30 kuti.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Mitrovica e Jugut aktualisht është komuna që ka numëruar më së shumti kuti votimi, 98 sosh. Ndërkaq, Prizreni e ka numrin më të madh të kutive që nuk janë futur ende në punë. Të tilla janë 192.
Vonesat në numërimin e votave deri më tash janë bërë kryesisht për shkak të problemeve teknike me sistemin e KQZ-së për regjistrimin e rezultateve. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, të enjten është shprehur se për t’i shmangur këto probleme janë marrë disa masa që kanë ngritur sigurinë e platformës.
Në shumë qendra komunale, pos sistemit të regjistrimit, ka pasur probleme edhe me energjinë elektrike, por që kryesues të QKN-ve, kanë thënë se pas ankesave të tyre, kanë marrë garanci nga Korporata Energjetike e Kosovës, që rryma të mos ndërpritet deri në përfundim të numërimit.
Që në ditën e zgjedhjeve, KQZ është përballur me probleme teknike edhe në uebfaqen e saj të publikimit të rezultatit zgjedhor, duke e vonuar procesin deri në orë të vona të mesnatës. Pas kësaj, Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet.
Radoniqi ka theksuar se do të ndajë publikisht arsyet e pengimit të publikimit me kohë të rezultateve sapo të marrë raportin përfundimtar nga institucionet e sigurisë.
Bashkë me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë parashihet të bëhet edhe verifikimi i votave për partitë politike. Numërimi i planifikuar të nisë të hënën, ka filluar me një ditë vonesë dhe vetëm në disa komuna.
Të martën numërimi ka nisur në Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh. Të mërkurën në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit. Të enjten në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik. Të premten në Istog, Rahovec, Pejë dhe Podujevë. E, të shtunën edhe në Mamushë. Numërimi ende nuk ka filluar në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok.