Arbëri

Nuk matet në Kosovë niveli i radonit, ndonëse është shkaktari i dytë i kancerit të mushkërive

Në Kosovë nuk realizohen matje për nivelet e radonit, një gaz radioaktiv që është shkaktari i dytë i kancerit të mushkërive. Në Ministrinë e Mjedisit thanë se mungojnë pajisjet e edhe stafi për ta realizuar matjen. E, profesorë të fizikës dhe pulmologë, shtruan nevojën që institucionet të lëvizin, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik

Përmes një pajisjeje që ndodhet në Departamentin e Fizikës, që funksionon në kuadër të Universitetit të Prishtinës, matet sasia e radonit në objekte.

Por, institucionet nuk bëjnë matjen e nivelit të këtij gazi të rrezikshëm radioaktiv.

Në Ministrinë e Mjedisit thanë se mungojnë edhe pajisjet e edhe stafi.

“Në bazë të Rregullores Nr. 08/2021 për emergjencat dhe monitorimin radiologjik, neni 21, Agjencia/Ministria harton një plan kombëtar veprimi që përshkruan rreziqet afatgjata nga ekspozimet e radonit në ndërtesa, ndërtesa me qasje publike dhe në vendet e punës për çdo burim të hyrjes së radonit, qoftë nga toka, materialet e ndërtimit ose uji. Ky aktivitet nuk është realizuar në mungesë të stafit profesional dhe pajisjeve laboratorike për matje”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Mjedisit.

Profesori i fizikës, Sadik Bekteshi, shpjegon se radoni është një gaz pa ngjyrë, pa erë dhe pa shije, i cili gjendet në çdo vend.

“Është gaz radioaktiv, formohet në shtresat e tokës kryesisht gjatë zbërthimit të uranit, toriumit dhe radiumit, dhe ai mandej prej tokës vjen në hapësirat e ndryshme ku banojmë apo çdokënd tjetër... Pra të gjitha vendet ku janë të mbyllura edhe që nuk ka ndonjë ajrosje të mirë, edhe shkollat po ashtu, çerdhet e kështu me radhë”, ka thënë profesori Bekteshi.

Ai thotë se shtetet e zhvilluara bëjnë matjen e niveleve të këtij gazi dhe shtron nevojën që këtë ta bëjë edhe Kosova, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik.

Gazi radon është renditur si shkaktari i dytë i kancerit të mushkërive, pas tymit të duhanit.

Pulmologu Musa Hoxha shpjegon se radoni shpërbëhet në derivate si poloniumi radioaktiv, i cili mund të ngjitet në grimca te ajrit dhe të futet në sistemin respirator.

Ky gaz mund të shkaktojë mutacione që ndihmojnë në zhvillimin e qelizave kancerogjene në mushkëri.

“Me veprimin, varësisht prej koncentrimit dhe kohëzgjatjes, atëherë ky gaz natyror dhe derivatet e këtij gazi radioaktiv natyror dëmtojnë direkt ADN-në e qelizave dhe ato krijojnë mutacione të cilat mutacione ndikojnë direkt në rritjen e qelizave kancerogjene në mushkëri”, ka thënë pulmologu Musa.

E, drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka treguar se për shkak të mungesës së matjeve për nivelin e radonit në Kosovë, në klinikën që e drejton nuk janë identifikuar raste që lidhen drejtpërdrejt me ekspozimin ndaj këtij gazi.

“Në bazë të të dhënave shkencore, dihet se radoni është një ndër shkaktarët e dytë të sëmundjeve malinje në sistemin respirator, sidomos të mushkërive pasi është gaz radioaktiv dhe krijohet pas zbërthimit të uraniumit. Ne raste të tilla në Klinikë nuk kemi pasur që të konfirmohet lidhja direkte me këtë gaz”, ka thënë drejtori Kurtishi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkaku i ekspozimit ndaj radonit, në Amerikë vdesin rreth 20 mijë njerëz çdo vit.