Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Speciale, gazetari Nuhi Bytyçi, ka insistuar se UÇK-ja s’ka pasur hierarki të njëmendtë. Atij iu shfaqën video ku komandantë të Ushtrisë Çlirimtare i referohen zbatimit të urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm. Në një prej tyre shihej edhe Rexhep Selimi i cili deklaron se urdhri për të mos qëlluar me armë në natën e ndërrimit të moteve 1998-1999 gjeti zbatim të plotë.
Gazetari Nuhi Bytyçi, i cili shkoi në vende të shumta ku kishte luftëtarë të UÇK-së gjatë luftës, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Speciale ka deklaruar se hierarkia e UÇK-së nuk respektohej prej komandantëve lokalë. Kështu Bytyçi ka thënë tek u përgjigjej pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të mërkurën.
Ai u pyet lidhur me disa video, ku dëshmitari ka deklaruar se ishte prezent.
“Edhe një herë zotohem se do t’i kryej të gjitha që vinë prej Shtabit të Përgjithshëm, komandës së brigadës e më tutje”, kishte thënë pjesëtari i UÇK-së Ajet Kastrati në njërën prej videove.
Matthew Halling, prokuror i ZPS-së e pyet nëse “ky fjalim është i Ajet Kastratit që sapo e diskutuam në dëshminë tuaj?”
“I Ajet Kastratit, i cili si çdo epror në ato rrethana në ato rrethana, në analizën e vitit që linim pas (1998) fliste në mënyrë afirmative për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Thoshte se ka hierarki, por në të vërtetë hierarki nuk kishte. E as ai vetë s’e ka ditur se ka, por fliste para ushtarëve se ka e kështu me radhë”, përgjigjet Bytyqi.
Prokuroria e pyeti atë edhe lidhur me video, ku ishin xhiruar urime të vitit të ri në emër të Shtabit të Përgjithshëm e edhe lidhur me një video ku shihet i akuzuari Rexhep Selimi duke folur për zbatimin e një urdhri të Shtabit të Përgjithshëm. Atë dëshmitari e kishte prezantuar si Inspektor i Përgjithshëm i këtij shtabi.
“Për çdo situatë, Shtabi i Përgjithshëm nxjerr vendime konkrete edhe për natën e vitit të ri, Shtabi i Përgjithshëm dha një urdhër që të mos shtihet me armë zjarri. Ky urdhër po respektohet me përpikëri dhe nuk kemi shënuar asnjë rast të thyerjes së kësaj... Ushtarët e UÇK-së janë në pozicione, janë në detyra po i zbatojnë me përpikëri të gjitha urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave të tjera në hierarki”, kishte theksuar Selimi, në dhjetor të vitit 1998.
Dëshmitari ka deklaruar se videoja është bërë në mes të dy fshatrave të Suharekës, ku ishte e vendosur brigada 121.
“Në rajonin ku ka vepruar brigada 121 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Kumanova, aty diku afër fshatit Javor dhe Luzhnicë, mes javorit dhe Luzhnicës”, ka deklaruar Bytyqi.
Në Gjykatën Speciale në Hagë u shfaq edhe një video ku Fatmir Limaj ia uron ushtarëve vitin e ri në emër të Shtabit të Përgjithshëm. Dëshmitari e konfirmoi vërtetësinë e saj. Deklarime të tilla ai tha se vinin prej idesë së ngritjes së gatishmërisë dhe moralit ushtarak.
Dëshmitari insistoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk ushtronte hierarki funksionale dhe se as nuk kishte kapacitet politik për ta udhëhequr në mënyrë efektive Ushtrinë Çlirimtare.
Nuhi Bytyçi të hënën kishte deklaruar para Dhomave të Specializuara në Hagë se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki strikte dhe se ky është vlerësimi i tij veçanërisht nga shkuarja në zonën e Dukagjinit bashkë me të akuzuarin Hashim Thaçi, ku pavarësisht prej aprovimit nga Thaçi si shef i Shtabit të Përgjithshëm, në këtë zonë nuk iu lejua të filmonte pamje me kamerë nga Ramush Haradinaj, që ishte komandant zone.