Arbëri

Nobelistja irakiane pritet nga krerët shtetëror: Ndër zërat më të fuqishëm në botë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

Presidentja Vjosa Osmani dhe ktivistja e të drejtave të njeriut me origjinë nga Iraku, Nadia Murad, njëherësh edhe nobeliste për Paqe

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim të enjten aktivisten e të drejtave të njeriut me origjinë nga Iraku, Nadia Murad, njëherësh edhe nobeliste për Paqe, të cilën e ka cilësuar si një nga zërat më të fuqishëm në botë në luftën për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Osmani ka thënë se Murad ka qëndruar në Kosovë për ta fuqizuar edhe më shumë zërin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. 

“Bashkë, i vizituam të mbijetuarat si dhe organizatat të cilat punojnë afër me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e të cilat Presidenca ka vite që i mbështetë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Ky i fundit e ka cilësuar Muradin simbol të guximit dhe qëndresës. 

“Me vendosmëri të pathyeshme, ajo ka kthyer vuajtjet e saj në lëvizje globale për drejtësi kundër përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte dhe mjet sistematik të gjenocidit. Republika e Kosovës qëndron krah të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, e përkushtuar për drejtësi dhe mbështetje për secilën prej tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Nadia Murad është aktiviste irakiane e të drejtave të njeriut, e cila vepron në Gjermani. Në vitin 2014, si pjesë e gjenocidit Yazidi nga Shteti Islamik, ajo u rrëmbye nga vendlindja e saj Kocho në Irak, teksa pjesa më e madhe e komunitetit të saj u masakrua.