Arbëri

Njohjet e “ngrira”

Raport pa aktivitet dhe pa përmbajtje e ka kualifikuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ditë më parë marrëdhënien midis Kosovës dhe Egjiptit. Në Qeveri nuk kanë treguar se cili është niveli i bashkëpunimit me shtetin, i cili e pati njohur pavarësinë e Kosovën në vitin 2014, kur qeverisej nga “Vëllazëria Myslimane”. E zyrtarë të Egjiptit që më pas erdhën në pushtet raportin me Kosovën e patën kualifikuar si “njohje e ngrirë”

Mungesa e ndërveprimit midis Kosovës dhe Egjiptit është përmendur edhe në takimin e fundit që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka pasur në njërin prej vendeve kryesore të Lindjes së Mesme. Ndryshe nga qasja e aplikuar deri më tash, Vuçiqi nuk e pati përmendur kërkesën drejtuar Egjiptit për t’ia anuluar njohjen Kosovës.

“Biseduam edhe për Kosovën dhe M. Ju e dini se gjatë sundimit të ‘Vëllazërisë Myslimane’ dhe Mohamed Morsit, Egjipti e ka njohur Kosovën, por nuk ka aktivitete apo përmbajtje serioze në këtë drejtim”, pati deklaruar Vuçiqi. 

Vendimin për njohjen e Kosovës, Egjipti e ka marrë në vitin 2014, kur vendi qeverisej nga “Vëllazëria Myslimane”, periudhë të cilën udhëheqja pasuese e ka konsideruar si një moment specifik në historinë e këtij vendi.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kanë treguar se cili është niveli aktual i raporteve me Egjiptin dhe nëse ndonjëherë është vënë në pikëpyetje njohja nga ky vend. As në faqen zyrtare të Ministrisë nuk figuron ndonjë aktivitet apo marrëveshje e firmosur me Egjiptin. Kosova në këtë vend ka vetëm zyrë ndërlidhëse.

E zyrtarë të këtij shteti, raportin me Kosovën e patën kualifikuar si “njohje e ngrirë”.

Në nëntor të 2018-s, shefi i diplomacisë egjiptiane, Sameh Shoukry, gjatë një takimi me zyrtarë serbë, ka thënë se Egjipti e ka parasysh qëndrimin e fqinjit verior.

“Kjo (njohja) ka ndodhur në momentin historik egjiptian dhe ajo qeveri është ndërruar dhe është zgjedhur kryetari i ri në vitin 2014. Kjo qeveri e ka marrë parasysh pozicionin e Serbisë dhe e ka kuptuar se sa e rëndësishme është që çështja të zgjidhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në kontekst të bisedimeve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Marrëdhëniet e Egjiptit dhe të Serbisë janë të fuqishme. Egjipti nuk ka hapur përfaqësi diplomatike në Kosovë”, pati deklaruar Shoukry.

Duke u përgjigjur në pyetjen e televizionit publik serb nëse tani Kosova është shtet i pavarur dhe sovran për Egjiptin, ai ka deklaruar se “nuk dëshiron të kategorizojë se çfarë është dhe çfarë nuk është Kosova, sepse për këtë më shumë pyetet e drejta ndërkombëtare dhe legjitimiteti”.

“Pozicioni është ai që e kam sqaruar dhe përqendrohet në atë, por nuk ka implementim të atij vendimi derisa përmes bisedimeve të mos konfirmohet ai status në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, pati deklaruar shefi i diplomacisë egjiptiane. 

Por Time Kadrijaj, kryetare e Komisionit Parlamentar që  mbikëqyr punën e Ministrisë së Jashtme, ka thënë se mosavancimi i raporteve bilaterale Kosovës i ka kushtuar me mungesë të përkrahjes për anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

“Kjo qeveri ka punuar shumë pak në këtë drejtim dhe kjo është parë me shkarkimin e përnjëhershëm të diplomatëve dhe ambasadorëve kur znj. Donika Gërvalla ka ardhur në pushtet dhe për muaj të tërë kanë mbetur ato vende vakante. Për gjashtë muaj në vende kredibile nuk kemi pasur ambasadorë, që është niveli më i lartë i cili përfaqëson Kosovën në nivel ndërkombëtar ose në vendin pritës. Përkundër temave apo situatave të krijuara, nuk kemi pasur se kush ta trasojë të vërtetën dhe shpeshherë kemi parë se edhe ato vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë qenë hezituese në raport me plot procese, shpeshherë kur është kërkuar edhe votim në një organizatë ndërkombëtare kanë dalë kundër me votë”, ka thënë Kadrijaj.

Ajo ka shtuar se për shumë tema, sikurse “njohja e ngrirë” nga Egjipti, nuk ka informacione për shkakun e mungesës së raportimeve nga ana e Qeverisë.

“Kjo ka qenë qeveria më jotransparente në raport me publikun, mediat dhe shoqërinë civile. Janë sjellë me arrogancën e numrave dhe kjo vërehet në komisionet parlamentare apo hetimore, janë bllokues dhe imponues në qëndrimet e veta, duke dalë edhe jashtë kontekstit ligjor. Shpeshherë nuk janë ftuar fare, edhe nëse tentohet të thirren në raportim hezitojnë për shkak të ballafaqimit me opozitën. Qeveria me performancën e saj e ka dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe po vazhdon ta dëmtojë me veprime joserioze, gjë e cila dëshmohet edhe me sanksionet e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Kadrijaj.

Ndonëse palët janë dakorduar rreth Marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksit për Zbatimin e saj më 18 mars 2023 në Ohër, e cila kërkon nga palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare, Serbia asnjëherë nuk e ka ndalur fushatën e saj për t’ia anuluar njohjet Kosovës dhe për t’ia penguar mësymjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në mungesë të njohjeve të reja, liderët e shtetit në disa raste kanë përmendur si arritje mbrojtjen e atyre që tashmë i kanë ardhur Kosovës e të cilat Serbia po tenton që t’ia anulojë.

Në fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit, në dhjetor të 2023-s, presidentja Vjosa Osmani pati thënë se është arritur që të rikonfirmohen gati 100 për qind e rasteve në të cilat Serbia pretendon se ka arritur të ndërrojë qëndrimin e shteteve karshi Kosovës.

Në kërkesën e KOHËS për sqarime lidhur me mënyrat që janë përdorur në konfirmimin e njohjeve dhe nëse kjo është bërë me nota verbale, në Presidencë patën thënë se konfirmimet i kanë marrë nëpërmjet takimeve bilaterale e multilaterale. 

Shteti i fundit që e ka njohur Kosovën është Izraeli, me të cilin janë vendosur marrëdhënie diplomatike në shkurt të vitit 2021, gjatë ish-Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Njohja e shtetit nga Lindja e Mesme ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Washingonit, e cila është nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në mes të Kosovës e Serbisë, nën ndërmjetësimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

E deri më tash procesi i njohjeve është përcjellë me shumë paqartësi.

Mbështetur në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme, në total janë 117 shtete të cilat e kanë njohur Kosovën. KOHA ka raportuar se për së paku dhjetë vende nuk dihet nëse janë dorëzuar notat verbale, të cilat ministria i llogarit si njohje. Aty është edhe njohja nga Togoja, për të cilën ministri i Punëve të Jashtme i Togos, Robert Dussey, pas takimit me homologun serb, Ivica Daçiq, në janar të këtij viti pati thënë se shteti i tij e ka revokuar.

Njohja ishte tërhequr edhe nga Surinami, për të cilën ish-ministri i Jashtëm, Behxhet Pacolli, pati thënë të mos jetë në dijeni se çfarë ka ndodhur. Të tjera vende për të cilat është raportuar se kanë revokuar vendimet janë: Guineja Bissau, e cila njohjen e kishte bërë më 2011, Sao Tome dhe Principe, Burundi dhe Papua New Guineja, që vendimet i kishin marrë në 2012-n. Dy prej tyre i kanë rikthyer sërish njohjet - Guineja Bissau dhe Liberia.

E në tetor të 2023-s, si rrallëherë, në MPJD kanë deklaruar se pas pesë vjetësh kanë rikthyer marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Palaut. Në janar të 2019-s, Palau kishte paralajmëruar se do ta shqyrtonte vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, mbështetur në notën verbale që kryetari i kësaj Republike ia kishte dorëzuar ministrit serb të Punëve të Jashtme.

Që prej nisjes së mandatit, ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka qenë forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar me synim të posaçëm arritjen e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.