Lehtësuesi i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka mirëpritur ftesat për vizitë në Kosovë e Serbi, pas një bisede që ka zhvilluar me kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq. Derisa në BE nuk treguan për qasjen që synohet të aplikohet, njohës të zhvillimeve thonë se duhet një rishikim kritik i atyre që janë arritur, në mënyrë që marrëveshja të bëhet e zbatueshme
Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar biseda të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Sipas njoftimit të përfaqësuesit special të BE-së për dialogun në platformën X, thuhet se Sorensen ka marrë ftesë nga Bislimi dhe Petkoviq që t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë.
“Sot bisedova ndaras me dy kryenegociatorët e Kosovës, Besnik Bislimi dhe të Serbisë, Petar Petkoviq. Bisedat ishin të mira dhe mirëprita ftesat e tyre për t’i vizituar së shpejti Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Sorensen.
Por as Zyra e BE-së e as Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar për qasjen që synohet të aplikohet nga emisari i ri, i cili pranoi postin në fillim të këtij muaji.
Kosova dhe Serbia u dakorduan në vitin 2023 për Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit. Edhe pse nuk është nënshkruar, Brukseli që lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se ajo është obligative për palët, në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Aneksi mes tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Po ashtu Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Edhe pse Kosova dhe Serbia u pajtuan rreth Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit, asnjëra prej pikave nuk ka nisur së zbatuari. Kjo për shkak të mungesës së dakordimit rreth planit të sekuencimit, refuzimit të Serbisë që t’i zbatojë pikat që lidhen me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por edhe tensioneve në terren.
Pak para largimit të emisarit Miroslav Lajçak dështoi edhe takimi i parë i Komisionit për të zhdukurit për shkak të refuzimit të palës serbe.
Njohës të zhvillimeve kanë shtruar nevojën e rishikimit të gjithë procesit, në mënyrë që marrëveshja të bëhet e zbatueshme.
“Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh që BE-ja të ketë propozuar një qasje të re. Kur provon të bësh të njëjtën gjë përsëri dhe përsëri, nuk mund të presësh rezultate të ndryshme. Kam dëgjuar që Kallas ka njoftuar se do të përfshihet drejtpërdrejt në dialog dhe nuk do t'ia delegojë të gjitha detyrat të dërguarit të saj të ri”, ka thënë analisti Ognjen Gogiq. “Kjo mund të nënkuptojë se dialogu do të jetë më lart në agjendën e BE-së, por ata ende nuk e kuptojnë se sa e rënduar është situata. Nuk është thjesht një ngecje, por një kolaps i plotë, ku edhe marrëveshjet e mëparshme janë shkatërruar. Ata ende duhet të bëjnë një vlerësim të situatës përpara se të propozojnë diçka të re”.
E eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, thekson nevojën për analizë kritike të dështimeve.
“Nuk e di se çfarë do të bëjë administrata e re e SHBA-së për dialogun. BE-ja ka të ngjarë të vazhdojë përpjekjet e saj, por do të ishte më mirë të bëhej një vlerësim i plotë i dështimeve të kaluara, në thelb që nga viti 2013, përpara se të vazhdojë dialogu”, ka theksuar Serwer.
Sipas tij, mbetet i paqartë niveli i përfshirjes së ShBA-së në proces.
Gjatë presidencës së parë të Trumpit ishte caktuar edhe një emisar i posaçëm për dialogun, Kosovë-Serbi. Nën ndërmjetësimin e Richard Grenellit më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht. Tani Grenell është caktuar emisar për Misione të Posaçme dhe deri tash Trumpi nuk ka caktuar edhe një emisar për dialogun Kosovë-Serbi.