Arbëri

Njohësit: Serbia ta konfirmojë tërheqjen e letrës së Bërnabiqit, jo Lajçaku

Është përcjellë me skepticizmin deklarata e një dite më parë e emisarit evropian, Miroslav Lajçak, se Serbia është tërhequr nga letra e ish-kryeministres, Ana Bërnabiq, mbi moszbatimin e marrëveshjeve nga dialogu. Njohës të çështjeve politike theksuan se për të gjitha paqartësitë rreth kësaj, sqarim duhet të japë Serbia, e jo që lehtësuesi i dialogut të bëhet zëdhënës i saj

E çuditshme dhe skeptike u kualifikua nga njohës të çështjeve politike deklarata e emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për tërheqjen e Serbisë nga letra e ish-kryeministres, Ana Bërnabiq, kundër zbatimit të pikave të Marrëveshjes që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës.

Analisti Fidan Ukaj ka thënë se konfirmimin për këtë duhet ta bëjë Serbia, e jo që Lajçaku të flasë në emër të saj.

“Nuk besoj në një tërheqje të tillë dhe jam i bindur se nuk do të shkojë shumë kohë kur Qeveria e Serbisë do ta demantojë këtë njoftim të z. Lajçak se është tërhequr nga letra, preambula e Serbisë dhe kufirin mes Kosovës dhe Serbisë e njeh si kufi administrativ e marrëveshja e akorduar në Bruksel flet për respektimin e pjesës ose kufirit territorial mes Kosovës dhe Serbisë e po ashtu njohjen e dokumenteve të përcjella që po ashtu nënkupton edhe njohjen e shtetësisë së Kosovës”, është shprehur Ukaj.

Me këtë pajtohet edhe korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj.

“...nëse Lajçak ka menduar të improvizojë me një letër të dytë që kishte dërguar Ana Bërnabiq kur ishte kryeministre, atëherë një gjë e tillë do të duket më shumë si improvizim sesa një gjë e vërtet. Gjithësi në emër të Serbisë duhet të flasë Serbia e jo Lajçak, prandaj mbetet të shihet se si do të deklarohen zyrtarët e Serbisë rreth asaj letre. Deri më tash nga Serbia kemi dëgjuar se nuk e ka ndërmend ta zbatojnë marrëveshjen në pikat që kanë të bëjnë me sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial dhe se asnjëherë nuk do ta njohin Kosovën as de facto as de jure”, ka thënë Palokaj.

Ditën kur Lajçaku e bëri këtë konfirmim nga Prishtina, zyra e BE-së në Zvicër njoftoi se ai nuk do ta marrë detyrën e ambasadorit të BE-së në Zvicër, për, siç u tha, zhvillime të paparashikuara.

Analisti Ukaj këtë e sheh si një sinjal se Lajçakut do t’i vazhdohet mandati i emisarit edhe pas janarit të 2025-s.

“Z.Lajçak e ka fut në qorrsokak procesin dialogues. Njëri ndër fajtorët e këtij ngërçi në këtë proces dialogues është pikërisht z.Lajçak dhe mendoj se institucionet e Kosovës nëse eventualisht do të ketë informacione ose do të ketë lajme se Lajçak do t’i vazhdohet mandati duhet t’i shkruajnë BE-së t’ia rikujtojnë se z. Lajçak e ka dëmtuar procesin e dialogues dhe po ashtu nuk e besimin e Kosovës”, ka thënë Ukaj.

E Palokaj mendon se veprimi mund të mos ndërlidhet me rolin e tij në dialog.

“Ai do të vazhdojë në këtë post deri në fund të janarit, deri kur përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri e cila pritet të votohet në Parlamentin Evropian, Kaja Kallas duhet të vendosë a do të ketë apo jo pasardhës të Lajçakut dhe si do të veprohet më tutje me dialog por për momentin ai do të vazhdoj në këtë post deri në janar dhe diplomatët në Bruksel thonë se nuk presin që pas fundit të janari ai më të jetë në këtë rol”, ka thënë Palokaj.

Lajçaku e mori detyrën e emisarit më 2 prill të 2020-s dhe do ta mbajë zyrtarisht deri në janarin e ardhshëm.