“Game changer”, njeri që ndryshon lojën sa i përket dialogut të Brukselit e ka quajtur veten ish-presidenti slloven, Borut Pahor, në një intervistë në mediumin N1 në Slloveni.
Por kjo po shihet si diçka e vështirë se mund të ndodhë.
Njohësit e rrethanave politike thonë se është e tepërt të thuhet se një ndërmjetës mund ta ndryshojë dialogun.
Ish-politikani Azem Vllasi, thotë se për përmbylljen e dialogut është e domosdoshme njohja e ndërsjellë e kjo, sipas tij, nuk ndërlidhet me të dërguarin e BE-së për dialogun.
“I njeh gjërat më mirë edhe në raportin mes Kosovës dhe Serbisë dhe në rajon në përgjithësi dhe mendoj që do të ishte njeriu i duhur...Derisa Serbia vijon një politikë të tillë dhe vazhdimisht përsërit se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, atëherë nuk ka fund të dialogut. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë si marrëdhëniet mes dy fqinjëve të këqij dhe domethënë nuk varet prej ndërmjetësuesit se a do të shkojë përpara dialogu dhe si do të përfundojë. Krejt puna është te finalja. Duhet marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ajo nuk mund të quhet finale, në qoftë se nuk ka njohje reciproke, e kjo nuk varet prej ndërmjetësuesit, por prej Serbisë”, ka deklaruar Vllasi.
E politologu Altin Gjeta, thotë se përçarjet brenda BE-së dhe forma si BE-ja e ka udhëhequr dialogun e kanë përcaktuar që ky proces të mos ketë sukses.
Gjeta shton po ashtu se ndryshimi i ndërmjetësve nuk domethënë ndryshim i qasjes së BE-së.
“Vonesa dhe mosdakordësitë brenda BE-së kundrejt zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, fuqizimi i partive populiste euroskeptike në Francë dhe Gjermani, si dhe zhvendosja e vëmendjes drejt luftës në Ukrainë dhe Gaza janë të gjithë faktor kontribuues për divergjenca politike mes vendeve anëtare të BE-së kundrejt dialogut dhe eventualisht rënie të fuqisë ndikuese të Unionit në dialog. Politika e karotës ndaj Serbisë dhe e shkopit ndaj Kosovës nuk ka funksionuar. Nëse i dërguari i BE për dialogun (kushdoqoftë) nuk gëzon mbështetje të unifikuar nga shtetet anëtare, nuk ka gjasa të prodhojë progres domethënës në pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Gjeta.
Pahori në intervistën e tij për mediumin slloven tha se mendon që mund ta ndryshojë lojën e dialogut shkaku i njohjes që e ka për rajonin.
Tha po ashtu se do t’i përshtatej pozita që Mirosllav Lajçaku do ta mbajë deri në janar 2025, meqë shihet si kandidat i përshtatshëm nga të dyja palët dhe e ka edhe përkrahjen e Sllovenisë.
I pyetur për sulmin në Banjskë, ai nuk e quajti atë sulm terrorist, pavarësisht që edhe vetë përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e ka quajtur të tillë.
Këtë Pahori e arsyetoi me faktin se ende nuk dihen të gjitha informatat për atë që ka ndodhur.
Megjithatë, tha se në përshtypje të parë i dukeshin sikur hapat e parë që i bëri ushtria ruse kur e aneksoi Krimenë më 2014.