Arbëri

Njohës të mediave kërkojnë që edukimi medial të bëhet lëndë obliguese në shkolla

Organizata “Hibrid” ka publikuar raportin “Edukimi për të Vërtetën: Gjendja e Edukimit Medial dhe Sfidat e Përfshirjes në Kurrikulën Mësimore”, në të cilin është bërë thirrje që edukimi medial të bëhet lëndë obliguese në nivelin e arsimit parauniversitar. Sipas njohësve të mediave, vetëm kështu mund të mbrohen fëmijët nga përmbajtja që çdo ditë i ekspozohen, duke u qasur në rrjete sociale

Njohës të mediave bënë thirrje të martën që të përfshihet në kurrikulë lënda e edukimit medial, pasi theksuan se edhe testi PISA ka treguar se nxënësit kosovarë kanë vështirësi ta bëjnë dallimin mes faktit dhe opinionit.

Thirrja u bë në tryezën e organizuar nga organizata “Hibrid”, ku u publikua edhe raporti “Edukimi për të Vërtetën: Gjendja e Edukimit Medial dhe Sfidat e Përfshirjes në Kurrikulën Mësimore”.

“Ka mungesë të vullnetit institucional që kjo lëndë të përfshihet në kurrikula, në mënyrë që të aftësohen nxënësit me mendimin kritik, por edhe njohjen e mediave. Sfidë tjetër mbetet edhe trajnimi i mësimdhënësve, sepse kjo kërkon edhe një trajnim specifik për mësimdhënësit lidhur me mediat, dhe mungesa e teksteve, sepse mungojnë tekstet e standardizuara për edukimin medial”, ka thënë Festim Rizanaj, hulumtues në organizatën “Hibrid”.

Njohës të mediave bënë thirrje që edukimi medial të bëhet lëndë obliguese dhe jo zgjedhore, pasi theksuan se vetëm kështu mund të mbrohen fëmijët nga përmbajtja që çdo ditë i ekspozohen, duke u qasur nëpër rrjete sociale. 

“Edukimi medial është më shumë sesa edukim teknologjik, është më shumë se aftësi për t’i përdorur mediat, është më shumë sesa aftësi për t’i zbërthyer, për t’i dekocentruar dhe për të krijuar një mendim kritik për përmbajtjet e caktuara mediale”, ka thënë profesori Faton Ismajli.

E, drejtori i organizatës “Teach for Kosova”, Egzon Gashi, shprehu brengën për informatat të cilave iu qasen nxënësit.

“Jo vetëm fëmijët, por krejt shoqëria rri sot duke konsumuar media. Tash, paramendo nëse shumicën e ditës e kalojnë në atë mënyrë edhe nuk e ke asnjë lëndë në shkollë që të tregojë qysh të konsumohet media, qysh të dallohet fakti prej opinionit”, ka thënë ai.

Raporti i publikuar nga “Hibrid”, përpos që bën thirrje që edukimi medial të përfshihet si lëndë obliguese në shkollat fillore dhe të mesme, sugjeron edhe trajnimin e mësimdhënësve dhe hartimin e teksteve të standardizuara.