Megjithëse Ana Exposito Valles i prishet qejfi që nuk e takoi edhe njëherë për së gjalli Ruzhdi Aliun, takimi me familjen e tij u përshkua me rrëfime të hareshme. Merxhani, i biri i plakut të ndjerë, gjithnjë spikat anën e mirë edhe kur flet për histori të dhimbshme, si ajo e dëbimit të banorëve të Gadimes së Lipjanit nga shtëpitë e tyre në kohën e luftës.
“Është e qartë se në këtë familje, humori është vlerë e përbashkët dhe kujtimi për gjyshin nuk u shoqërua me dhimbje, por ngjalli emocione mahnitëse dhe shumë të qeshura”, thekson Valle, gazetarja e luftës, e cila i ka shkuar në konak Merxhan Aliut mbrëmjen e 13 dhjetorit për t’ia dhuruar librin “Mirupafshim në Kosovë!”, botuar në shqip nga Botimet KOHA, njëzet vjet pasi me duart e veta ia kishte dorëzuar Ruzhdiu Aliut botimin në galicisht.
“Thashë me vete: ‘Sa mirë të kujtohet gjyshi në këtë mënyrë’, megjithëse menjëherë e imagjinova se si do të na qortonte dhe thashë më mirë të qanim pak për të, por e dija se ai do të kënaqej me gjithë këtë qejf”, thekson ajo.

“Shka po m’kqyrni? Shiptar jam!”
Valle, sikurse e përshkruan edhe në libër, thotë se Ruzhdiu gërshetonte ironinë dhe talljen. Reporterja e Television de Galicia ishte kthyer pas luftës për ta parë gjendjen e familjes Aliu pas shumë sfidave që kishin përjetuar gjatë dëbimit drejt Maqedonisë së Veriut dhe qëndrimit në kampet e refugjatëve atje.
“E di se njerëzit interesohen më shumë për kronika me fëmijë. Vuajtja e tyre është më prekëse se e kujtdo tjetër, megjithatë mua gjithnjë më shumë më kanë bërë për vete rrëfimet e pleqve”, më thotë Valle.
Dhe në xhirimet arkivore që i ka sjellë me vete për t’i bërë bashkë me të rejat e ekipit të KTV-së për dokumentarin “Mirupafshim në Kosovë!” – bashkë me botimin e librit, mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) – Ruzhdiu shihet i thyer shpirtërisht e i dërrmuar fizikisht derisa shtrirë pret para një tende të organizatave humanitare për një thes gjumi.
“Qe dy ditë po shkoj te doktori. M’ka dhanë sufata. Nuk po muj me ec. M’kanë dhanë ilaçe, por e ka hangë dreqi. Moti është kjo”, thotë Ruzhdi Aliu, derisa flet për dhimbjet e këmbëve. Teksa Nexhad Bexheti, përkthyesi i Valles, i cili e shoqëron edhe në kthimin e tanishëm në Kosovë, i përkthen anglisht ekipit televiziv nga Spanja, Ruzhdiu shpërthen ndaj atyre që e shikojnë rreth e qark: “Shka po m’kqyrni bre? Unë uk s’jam, as arushë! Shka po m’kqyrni? Shqiptar jam”, nxjerr mllefin plaku, duke kërcënuar edhe me bastunin në dorë. “Shka po m’kqyrni, i kam harru atje se jua kisha dhanë nëse jeni marak n’syret temin”.
“Donte të vdiste në shtëpi”
Gjendja qetësohet pas përpjekjes së Valles dhe personelit të organizatave humanitare që i japin zemër plakut të thyer. Nuk ngrihet dot pa ndihmën e një dore që zgjatet para kamerës. “A ka ma keq se me të largu prej shpije?” – e pyet Bexheti. “Jo ma mirë se me dekë n’dynja nuk ka. I merr dy metra dhe, edhe hajt”, thotë plaku, atëherë 84 vjeç. “Po me zor s’po dekke njeri, pa ardhë egjeli, s’vjen”.
“Por ai duhet të jetojë derisa të kthehet në Kosovë”, ia kthen Valle.
“Po s’e di se unë jam dalë pej shpije, ishalla kurrë s’kthehna, ishalla egjeli um merr”, thotë plaku, duke fshirë hundët. “E kam mshel, hej, shpijën, gjanë i kam qitë përjashta”, shton Aliu në vaj. I dridhet mjekra. Pasi merr veten, e kërkon pak ujë.
Merxhani, i biri, i thotë Anës në vatrën e tij se babai nuk i trembej vrasjes nga serbët. Madje as gjatë dëbimit kur ishin përcjellë nga policia serbe me të dalë nga fshati. “Gjuaj, gjuaj”, u kishte thënë forcave serbe.
“Nuk dojke me dalë se thojke kushdo me ardhë, le t’vjen”, thotë Merxhan Aliu. “Me zanë me gri edhe atë”, ndërhyn një kushëri i Merxhan Aliut.
“Ai më ka thënë se dëshironte të vdiste në shtëpinë e tij”, ia kujton Valle. Por Ruzhdi Aliu do të largohej vetëm pas përgjërimit të familjarëve që të mos ndaheshin.
Dhe kur Valle do të kthehej dy vjet pas luftës për t’ia sjellë librin galicisht, Ruzhdiu ende nuk po e kuptonte pse i interesonte jeta e familjes së tij. Madje, i kishte thënë se ndryshe nga polici serb, të cilit para luftës ia kishte dhënë pulën më hall-ligësht që të mos e gjobiste për drutë e prera në mal, Valles nuk do t’i dhuronte asgjë. Krejt meritat për çlirimin ia njihte Shteteve të Bashkuara. “Çfarë Spanje! Rroftë Amerika!” – i kujton Valle me qeshje Merxhanit fjalët e babait të ndjerë.
“Kësaj here, qeshëm të gjithë duke kujtuar anekdotën e pulës dhe shumë të tjera të djalit të tij Merxhanit”, më shkruan Valle pas kthimit në Galici.

“Çele telefonin me mësuesin!”
Dhe gjatë gjithë mbrëmjes, Merxhani, i cili bart nxënësit me nevoja të veçanta të disa fshatrave të Lipjanit, i shkrin mysafirët në gaz me sensin e tij të humorit. Me rekomandim të të birit të vogël, Enxhëllit, e gruas Afërditës, e cila punon në mirëmbajtjen e objektit të Komunës së Lipjanit, e telefonon Adonisin në Gjermani.
“Adonis Alia, me dy alltia”, thotë Merxhani derisa e kërkon në listën e aplikacionit Viber numrin e djalit të madh. “Pi, pi hala”, njëherësh i thotë Valles që e falënderon Afërditën për çajin e rusit. “Dy a tre, sa dush”.
Mysafirja kërkon ujë, Merxhani pret të përgjigjet Adonisi.
“Është interesant se jo të gjitha gjërat që ndodhnin atje të bënin të qanin”, thotë Valle, që ndërpritet nga Merxhani: “Adonis, çele kamerën djali jem se kemi mysafirë. Çele kamerën me mësuesin! Qe Adonisi!” Celularin e kthen kah gazetarja. Të tjerët qeshin.
“Hello Adonis”, i thotë ajo.
“A p’e njeh, po?” – ndërhyn Merxhani.
“Ej, como estai?” – thotë Adonisi.
“Muy bien, gracias”.
“P’e harron gjuhën shqipe. Qy como estai, leje ti”, nxit të qeshura Merxhani.
Në diskutim përfshihet edhe Elona, e dashura e Adonisit.
“Bane hesap, gruja e tina. Qashtu diçka”, prapë ndërhyn Merxhani, që mban celularin në dorën e djathtë.
“Mujsh me njoftë njanin në beshik”
Adonisi i thotë Valles se nuk e njeh, porse prindërit i kishin treguar për vizitën kur ai ishte i vogël. “E di se e keni intervistuar gjyshin tim”, i thotë ai.
“Tani do t’ju tregoj diçka”, i thotë Valle në pritje të reagimit të Adonisit, që duket i hutuar. Ana pa dashje ia mban mbrapsht librin “Mirupafshim në Kosovë”. “Më fal”, i thotë pasi shpërthejmë edhe njëherë në të qeshura. “Tani duket se ju po bëni shaka”, ndërhyn njëri prej anëtarëve të ekipit të televizionit.
“Ju jeni në këtë libër”, i thotë Valle, njëherësh kërkon faqen me fotografinë e Ruzhdiut me nipin në djep.
“Mujsh me njoftë njanin në beshik. Nëse munesh me ja qëllu kush u kanë n’beshik”, thotë Merxhani. “A p’e njeh?”
“Shiko gjyshi dhe unë”, thotë Adonisi.
“Tani jeni në libër”, ia kthen Valle.
“Ju uroj gjithë të mirat me librin”, thotë Adonisi në anglisht. “Do të doja ta lexoja”.
“Por gjyshit tuaj nuk i interesonte libri, kështu që....”
“E di, atij i interesonin vetëm paratë”, thotë Adonisi.
“Ai thoshte a ke para që të shkoj në dyqane të fshatit të blej harxh, sepse me libër nuk blihet harxhi”, i përmbledh Valle fjalët e Ruzhdiut. “Por mbase ju mund ta përktheni librin në gjermanisht”.
“Po ne e duam Spanjën dhe telenovelat”
Valle e fton çiftin e ri që ta vizitojnë Spanjën.
“Po ne e duam Spanjën dhe telenovelat”, thotë Elona. “Ne jemi rritur me telenovelat spanjolle”.
“Kur të vijmë në Spanjë, do t’ju kërkojmë”, i premton Adonisi.
“Nalne edhe ju, pushoni kaniherë. Pine ka ni çaj”, u drejtohet pas video-bisedës Merxhani kameramanëve Arben Llapashtica e Besart Ujkani pas një ore xhirim.
Kamerat nuk ndalen, sikurse edhe rrëfimet e Merxhanit. Ai tregon rrëfimin e një bashkëmoshatari, i cili do t’i tregonte Ruzhdiut se do të shkonte në haxh, por e donte mendimin e shokut para pelegrinazhit. “Edhe kur shkon plaki me pa, i thotë, o Rexhep s’ke lanë t’zezë pa ba, a edhe qëta po dojshe me naj ba a?” – përmbledh reagimin e babait Merxhani, duke nxitur. “Edhe ju, allahile, veç n’televizor, mos na.....”
“Pak, pak”, i thotë Llapashtica.
Në Gadimen e Ulët, të mbuluar nga një shtresë e hollë dëbore mesdhjetori, Valle shkrep disa fotografi me familjen Aliu në ditën më të hareshme të kthimit në Kosovë. Nga kjo familje mori më shumë se priti. Edhe mirënjohjen e Merxhanit për rolin e Spanjës për çlirimin e Kosovës, por që ende nuk na e njeh pavarësinë.