Veri

Një vit pas zgjedhjes, Zeqiri e Peci do të zhvendosen në objektet komunale

Zvecan - Zubin potok

Komuna e Zveçanit dhe Zubin - Potokut

Foto: Driton Paçarada

Një vit pas zgjedhjes në postin e kryetarit të komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, është kthyer në objektin komunal, ku është mbajtur seanca e Kuvendit. 

Kthimin në objekt e ka konfirmuar zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Arbër Vokrri.

Ai gjithashtu ka thënë se edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, së shpejti do të zhvendoset në objektin komunal. 

Sipas Vokrrit, në Zubin-Potok do të vazhdohet me rinovimin e zyrave të demoluara derisa në Zveçan veçse ka nisur zhvendosja e disa drejtorive dhe se i gjithë procesi pritet të përmbyllet gjatë javës tjetër.

Ai ka shtuar se mbledhja e Kuvendit Komunal të Zveçanit pritet të mbahet të martën.

Zeqiri deri më tani detyrën e tij e ka ushtruar nga zyra alternative në fshatin Çabër, ndërsa Peci në zyrën në fshatin Lipë.

Të dy vinë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata pas tensioneve që u patën krijuar në veri dhe protestave të organizuara nga serbët të cilët nuk i lejonin që funksionet t’i ushtronin nga objektet komunale, i janë përgjigjur thirrjes së ndërkombetarëve që detyrat t’i ushtrojnë nga zyrat alternative.

E nga objekti i komunës së Leposaviqit, refuzoi të largohet kryetari nga radhët e Vetëvendosjes, Lulzim Hetemi, ani se prania e tij aty u kundërshtua për ditë të tëra me protesta, prej të cilave kryesisht pësuan gazetarët, duke u sulmuar e lënduar nga protestuesit serbë. 

Zhurmë nuk u krijua në Mitrovicë të Veriut, pas zgjedhjes së kryetarit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, që detyrën e ushtroi nga objekti komunal. 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se situata në katër komunat në veri është e qetë dhe se ata janë në dijeni të çdo veprimi që zhvillohet atje. 

“Për çdo veprim i institucioneve të Kosovës që ndodh në veri të vendit, Policia ka njohuri, situata në veri është e qetë, por konsiderohet delikate”, ka theksuar Elshani. 

Drejtimin e nivelit lokal në Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok e Mitrovicë të Veriut, kryetarët joserbë e morën pas një procesi zgjedhor të bojkotuar nga shumica e qytetarëve serbë.

Në këto komuna, të banuara kryesisht me serbë, kryetarët shqiptarë punën e nisën në situatë të jashtëzakonshme. Përveç atij të Mitrovicës së Veriut, tre kryetarët e tjerë zotimin për ta kryer detyrën, në të cilën u zgjodhën me vota minimale, e bënë nëpër objektet shkollore fshatrash e jo në ato komunale.

Teksa në veri të Mitrovicës, i gjithë procesi u zhvillua pa shumë zhurmë, gjendja ka qenë krejt ndryshe në komunat e tjera.

Tensione, dhunë, protesta e shumë telashe kanë shoqëruar tentimet e kryetarëve të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut për të hyrë në zyrat e tyre.

Situatë më e rrezikshme zotëroi në Zveçan. Aty, me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it e të Policisë së Kosovës u lënduan nga protestuesit e dhunshëm serbë, që e kundërshtonin praninë e kryetarit në objektin e komunës.

Barra për shtensionimin e situatës në tri komunat veriore iu vu Qeverisë së Kosovës.

Asaj, faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ia kërkoi largimin e kryetarëve nga komunat dhe ushtrimin e detyrave të tyre nga distanca.

Dy prej tre kryetarëve që u kundërshtuan me protesta, hoqën dorë nga kryerja e funksioneve prej zyrave komunale dhe u pajtuan që punën ta vazhdojnë në zyra alternative.

Kryetarët shqiptarë mbeten në pushtet në katër komunat veriore edhe pas votimit të 21 prillit, i organizuar pas një peticioni të nënshkruar nga serbët atje, mbështetur nga Lista Serbe.

Votimi për ose kundër largimit të katër kryetarëve do të ishte i suksesshëm nëse do të arrihej 50 për qindëshi plus një votues. Megjithatë, nga rreth 46 mijë qytetarë të regjistruar, të drejtën e votës e ushtruan vetëm rreth 250 persona.