Arbëri

Një vit nga sulmi që mund të përsëritet

Në përvjetorin e parë të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë prezente. Ndërsa BE-ja tentoi t’i shtyjë Kosovën dhe Serbinë për runde të tjera negociatash drejt arritjes së pajtimit, trashëgimia e sulmit vazhdon të rëndojë mbi rajonin. Njohës të zhvillimeve thonë se sulmi i vitit të kaluar jo vetëm që tronditi Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar, por vuri në dukje brishtësinë e paqes në rajon dhe kompleksitetin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Sipas tyre, me gjithë rritjen e sigurisë në veri, nuk përjashtohet mundësia që një sulm i tillë të përsëritet

Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit nga një grup paramilitar serb, përmes të cilit u tentua aneksimi i veriut, njohës politikë vlerësojnë se ende nuk ka kaluar rreziku. 

Mosmarrja në përgjegjësi e shtetit serb, që siç konfirmon aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka vënë në dispozicion logjistikën e nevojshme për grupin sulmues që la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mund ta trimërojë Serbinë që të tentojë sërish destabilizimin e Kosovës.

“Absolutisht se ka rrezik për eskalim. Beogradi e bëri shumë të qartë vitin e kaluar, duke rrëmbyer dy policë të Kosovës, me sulmin kundër trupave të KFOR-it, me incidentin terrorist në Banjskë, që është i gatshëm për ta destabilizuar situatën në Ballkan. Këtë e bën për të përfituar dhe arritur qëllimet e tij. Kjo është një lloj politike intimidimi që Perëndimi dhe Prishtina kanë plotësisht të drejtë ta refuzojnë. Problemi është se si Uashingtoni, ashtu edhe Brukseli kanë dështuar të reagojnë siç duhet ndaj këtyre politikave intimiduese të Beogradit”, ka thënë eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer. 

Ndërkaq, deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kerns – e cila para sulmit në Banjskë pati alarmuar se armët e kontrabanduara nga Serbia fshihen në manastire – tek ka përkujtuar sulmin e para një viti, theksoi domosdoshmërinë e vënies së drejtësisë për arritjen e paqes në Ballkan. 

“Një vit nga sulmi i Banjskës. Një vit nga vrasja e Afrim Bunjakut. Milan Radoiçiq dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Drejtësia është e domosdoshme për pajtimin dhe paqen në Ballkan”, ka shkruar Kearns në platformë “X”. 

Derisa për Serbinë nuk pati pasoja, Kosova po vazhdon të mbahet nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian, të cilat i ishin vendosur pas tensioneve që shpërthyen majin e vitit të kaluar, kur kryetarët shqiptarë që morën funksionet nëpërmjet zgjedhjeve të pranuara ndërkombëtarisht, u vendosën në objektet komunale. 

Edhe udhëheqës të Kosovës akuzuan Serbinë për organizimin e sulmit, duke theksuar se ishte pjesë e strategjisë së Beogradit për të destabilizuar Kosovën dhe për të minuar shtetësinë e saj. 

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, mohoi përfshirjen e drejtpërdrejtë, por nuk e dënoi hapur sulmin duke thënë se ishte kryengritje e serbëve lokalë për shkak të politikave të Qeverisë Kurti. 

Por politikanë të opozitës në Serbi kanë akuzuar Vuçiqin për përfshirje në sulmin e 24 shtatorit. 

Deputeti i Lëvizjes Popullore të Serbisë, Aleksandar Ivanoviq, tha se “Banjska është goditja përfundimtare në Kosovë me qëllim që Serbia të largohet plotësisht nga ajo zonë”. 

“Është jonormale që një person i cili prej vitesh qëndron krah me presidentin e Serbisë, të veshë uniformën dhe të jetë bartës i një aksioni të tillë në fushë dhe pastaj të pranojë se gjithçka e ka organizuar vetë. Kur e komprometon atë person, ke komprometuar edhe presidentin e vendit, kushdo qoftë ai. Më pas presioni kalon te presidenti i vendit, pastaj kërkohen lëshime nga presidenti, sepse lind një pyetje logjike - a jeni krahu politik i asaj organizate terroriste sepse, nga pikëpamja e bashkësisë ndërkombëtare, ajo është një organizatë terroriste”, ka thënë Ivanoviq. 

Sipas tij, Banjska është “pjesë e agjendës që respektohet për 12 vjet” dhe se Milan Radoiçiq do të ishte në burg shumë kohë më parë nëse “do të kishte bërë diçka”. Sipas Ivanoviqit, tërheqja e policëve në veri të Kosovës, bojkoti i zgjedhjeve dhe incidenti në Banjskë janë pjesë e një “agjende të qartë dhe të përzgjedhur që ndiqet për 12 vjet”. 

“Lista Serbe u tërhoq. Pra, u bë presion që të kthenin armët para kamerave në mënyrë teatrale. Duke ndjekur të njëjtin model, ata tërhoqën prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët tani do të gjykonin disa nga këto procese dhe në fund – incidenti në Banjskë. Ne mund të kalojmë ditë duke analizuar absurditetin e atij veprimi”, ka thënë Ivanoviq për “N1”.  

Pas Banjkës u thellua mosbesimi midis dy shteteve, duke ndikuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Për pasojë zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit rreth të cilave ishin pajtuar palët, mbetën nën hije. 

Një vit më vonë veriu i Kosovës mbetet një vatër konflikti, me raporte dhe deklarata të vazhdueshme nga ndërkombëtarët për trazira dhe tensione etnike. Ato u shpeshtuan veçmas pas paralajmërimit të Qeverisë për hapjen e Urës qendrore në Mitrovicë, për kalimin e automjeteve. BE-ja dhe QUINT-i alarmuan se hapja e Urës në rrethanat aktuale i vë në rrezik edhe ushtarët e KFOR-it, të cilët e rritën prezencën me trupa shtesë pas sulmit në Banjskë.