Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ndodhet në Shqipëri për të shënuar 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.
Të hënën, ditën e parë të vizitës në Tiranë, Pompeo e nisi me një mëngjes pune me kryeministrin Edi Rama.
Rama është shprehur pas takimit se kanë folur për lidhjen e ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA-së, pasojat e luftës mbi zinxhirin ekonomik dhe situatën në rajon.
“Me Sekretarin e Shtetit amerikan, Mike Pompeo, folëm për lidhjen e ngushtë mes Shqipërisë e SHBA, pasojat e luftës mbi zinxhirin ekonomik, projektet amerikane në Shqipëri, situatën në rajon dhe bukurinë e rrallë të vendit tonë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Pompeo takoi edhe zyrtarë të tjerë të lartë të Shqipërisë, nga pushteti e opozita.
Ai tha se përkushtimi vijon njësoj, derisa u shpreh i sigurt që miqësia me Shqipërinë do të jetë e madhe edhe në 100 vjetët e ardhshëm.
“Që nga 1922-ta, marrëdhëniet mes vendeve tona janë të shkëlqyera. Shumë gjëra kanë ndodhur. Përkushtimi vijon njësoj. Po e shohim në Ukrainë. Edhe pas luftës duhet ta ndihmojmë që të rindërtohet. Edhe për mua është shumë e veçantë që jam këtu dhe e di që kjo miqësi do të jetë edhe në 100 vjet të tjera. Faleminderit që punoni krah SHBA-së dhe që jeni miqtë tanë. Jam për 100 vjetorin, ju lutem më bëni një ftesë për 125-vjetorin”, tha Pompeo.