Një qytetar i Komunës së Gjilanit pretendon se është keqtrajtuar nga disa zyrtarë policorë të po kësaj komunë, pasi e kishte ngasë veturën në drejtim të gabuar në një rrugë njëkahëshe. Ai thotë t’i se një zyrtar policor, ia kishte drejtuar revolën, përpara se të mbërrinte patrulla. Në polici dhanë një version tjetër për ngjarjen e në Inspektoratin Policor treguan se një hetim preliminar po bëhet për këtë rast
G. Osmani mbrëmjen e së dielës ka hyrë me veturë në drejtimin e gabuar në një rrugë njëkahëshe dhe ka dalë nga ajo me pranga në duar. Ky 23 vjeçar nga komuna e Gjilanit, përveç që është gjobitur me 150 euro për këtë kundërvajtje, edhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Në disa video të cilat i posedon KOHA, shihet se disa zyrtarë policor e arrestojnë G. Osmanin pasi dhunshëm e shtrijnë në tokë. Në video shihen qytetarë tek e shikojnë këtë arrestim.
Mirëpo sipas të riut gjilanas, para se të vinte patrulla e policisë, ai u përball me një person tjetër, i cili po ashtu kishte qenë pjesëtarë policor, por jashtë detyrës në atë kohë. Sipas tij, zyrtari policor i kishte drejtuar edhe armën.
“Ka ardhur një veturë prej prapa. Një veture e tipit Shkoda, me xhama të errët dhe i ka rënë borisë. Pastaj e ka hapur xhamin dhe ka vazhduar të flasë diçka, edhe e kam hapë edhe unë xhamin sepse nuk e dëgjoja çka fliste dhe s’e dija a kam bërë diçka keq. Edhe pasi e kam hapur xhamin, kam dëgjuar fjalë të pahijshme prej personit... Nuk më ka dhënë asnjë ID që është polic...” ka thënë ai.
Pas konfliktit verbal për disa minuta, qytetari kishte zbritur nga vetura.
“Gjithmonë shihet se nuk kam qenë në asnjë moment afër. Gjithmonë e kam mbajtur distancën. Ka vazhduar me fyerje edhe e kam pyetur disa herë që kush je ti, pse po ma drejton revolen? Për një kundërvajtje të trafikut t’i drejtohet revolja qytetarit – unë nuk ndihem i sigurt”, ka thënë G. Osmanit, teksa ka shpjeguar ngjarjen se si ka ndodhur.
Ai ka thënë se për të gjitha këto ka drejtuar ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës, për shkak se, sipas tij, u keqtrajtua gjatë arrestimin dhe gjatë dhënies së deklaratës në stacionin policor.
“Shpresat i kam tek inspektorati”, është shprehur ai.
Kërkesës në Inspektoriat, 23 vjeçari ia ka bashkangjitur edhe videot nga kamerat e sigurisë, e edhe fotografi në të cilat shihen lëndimet që ka marrë nga arrestimi, por edhe raportet mjekësore, pasi që të nesërmen ishte drejtuar në emergjencën e qytetit.
Në Stacionin Policor në Gjilan kanë dhënë një version tjetër.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë në rajonin e Gjilanit, ka thënë se qytetari ka ofenduar policin.
“Një zyrtar policorë jashtë detyrës zyrtare me veturën e tij në një rrugë njëkahëshe, është takuar me një tjetër veturë, e cila ka lëvizur në anën e kundërt. I ka dhënë shenjë atij që të mos afrohet sepse është frikuar se mos e godet, dhe tanimë i dyshuari ka dalë nga vetura dhe ka filluar ta fyejë dhe ofendojë zyrtarin policor, i cili është identifikuar me ID”, ka thënë Hashani.
Ai ka thënë të jenë të hapur për hetim nga Inspektorati Policor, por ka bërë të ditur se deri më tani nuk është pranuar një njoftim mbi të tilla hetime.
E në Inspektoratin Policor kanë thënë se rasti është në fazën e hetimit preliminar dhe se së shpejti pritet të ndërmarrin masa për të sqaruar rrethanat.
“Duke ju referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se IPK-ja ka pranuar një ankesë për këtë rast ku qytetari cek edhe pretendimet e tij për tejkalim të autorizimeve policore gjatë reagimit policor. Hetuesit e IPK-së pritet që të ndërmarrin veprime hetimore për të sqaruar rrethanat, në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente dhe autorizimet ligjore. Rasti aktualisht është në fazën e hetimit preliminar”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Inspektoratit.
E qytetari që është ankuar në sjelljen e policit ka dhënë një paralajmërim.
“Nëse ai vazhdon të jetë pjesëtarë i Policisë së Kosovës, unë nuk do vazhdojë të jem qytetar i Kosovës”, ka thënë ai.