Hetime kontradiktore është duke zhvilluar Prokuroria Speciale në lidhje me një projekt të Ministrisë së Infrastrukturës. Grupi i ekspertëve të kësaj ministrie kanë bërë raport në lidhje me punët e kryera në rrugën Rugovë-Pejë, ku është konstatuar se shumë pozicione ishin paguar pa u kryer punët. Bazuar në këtë raport, Prokuroria në Pejë nisi hetimet, të cilat u përmbyllën me aktakuzë kundër disa personave. Tash hetime ka nisur edhe Prokuroria Speciale, por kësaj radhe për mënyrën se si është bërë raporti
Ndonëse sistemi prokurorial në Kosovë është unik, dy prokurori të ndryshme kanë qasje krejt të kundërt për rastin e njëjtë.
Para disa javëve, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër kompanisë “Sallahu”, pronarit të saj, Lulëzim Sallahu, si dhe zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebi Luzha, në lidhje me kontratën për sanimin e rrugës Pejë-Rugovë. Dyshimet e Prokurorisë janë se në tenderin për këtë rrugë janë keqpërdorur rreth 200 mijë euro.
Hetimi ka nisur pasi që sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, ka nxjerrë vendim, përmes të cilit ka caktuar ekip profesional për të bërë vlerësimin se si janë kryer punët. Në raport është konstatuar se dëmi nga punët e pakryera ose të kryera në kundërshtim me kontratën, është rreth 200 mijë euro.
Teksa Prokuroria Themelore në Pejë e ka bazuar aktakuzën mbi këtë dokument, Prokuroria Speciale ka nisur hetime për të parë se si është punuar po ky dokument, ku janë përshkruar shkeljet e kompanisë Sallahu.
Siç ka mësuar KOHA, me autorizim të Prokurorisë Speciale, të martën është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit sekretari Izedin Bytyqi. Burimet i kanë thënë KOHËS, se intervista ka zgjatur rreth dy orë dhe të gjitha pyetjet ishin lidhur me mënyrën se si është caktuar ky komision.
Po sipas burimit të njëjtë, javë më parë është intervistuar edhe një anëtar i këtij komisioni.
Bytyqi është kontaktuar nga KOHA, por nuk ka dhënë përgjigje.
Hetimi i Speciales, sipas informatave, ka nisur pas kallëzimit penal që e ka bërë kompania “Sallahu”.
As Prokuroria Speciale e as kompania “Sallahu” nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë rast.
Raporti i ekspertëve, që tash Prokuroria Speciale po e heton se si është hartuar, ka konstatuar se kompania “Sallahu” është paguar edhe për pozicione që nuk i ka kryer.
“Gërmimi i dheut i kategorisë VI – VII, shpimin, minimin, thyerjen me ngarkim dhe bartje deri në deponi në largësi deri 10 kilometra. Janë faturuar sipas situacionit të datës 12.4.2023, 12, 944 metra katrorë, që me vlerë financiare i bie 53,460 mijë euro vlera me TVSH, ndërsa në terren nuk është punuar asnjë metër katror i vetëm”, thuhet në raportin e ekspertëve.
Kompania “Sallahu” ka në procedurë shumë projekte kapitale, përfshirë edhe ndërtimin e “Rrugës A” në Prishtinë.
Pronari e edhe ish-pronari i kësaj kompanie janë të përfshirë në disa raste penale.