Arbëri

Një polic i Serbisë arrestohet për krime lufte në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Serbisë, nën dyshimin se 23 vjet më parë ka kryer krime lufte. Serbi nga Gurrakoci i Istogut që nga përfundimi i luftës ka ikur në Serbi, shtet në të cilin shërbeu si polic. Pasi i janë vënë prangat, atij i është shqiptuar masë paraburgimi prej një muaji. E qytetarët në Istog shpresojnë që të mos përsëriten rastet kur janë liruar të dyshuarit, pavarësisht dëshmive të bollshme inkriminuese

Rikthimi në Kosovë pas më shumë se dy dekadash, Çaslav Joliqit i ka kushtuar me arrestim.

Një ditë më parë, Joliq hyri në Kosovë për të rregulluar dokumente mbi pronën, por përfundoi pas grilave nën dyshimin se 23 vjet më parë ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.

Polici nga Gurrakoci i Istogut gjatë gjithë pasluftës ka jetuar në Serbi.

Lagja në të cilën kishte jetuar për vite me radhë, gjatë së premtes, ishte e qetë. E edhe shtëpia e tij ishte e mbyllur. Bari i rritur rreth shtëpisë njëkatëshe, skaj rrugës së paasfaltuar, ishte shenjë se aty s’kishte qenë askush për një kohë të gjatë.

E një ditë pas arrestimit të tij, bashkëfshatarët e dikurshëm të policit të Serbisë kanë një shpresë tek institucionet.

Pren Palokaj, teksa flet për arrestimin e Joliqit, shtron nevojën që drejtësia t’i shkojë këtij rasti deri në fund.

“E mirëpresim këtë arrestim, sepse lehtësohet shpirti i dikujt që ka familjen e humbur, të zhdukur e të vdekur, por uroj dhe po shpresoj që të jemi në gjendje ta mbajmë, edhe burgun ta mbajë secili që ka kryer krime”, u shpreh Palokaj, i cili thotë se institucionet e Kosovës bënë pak për të zbardhur krimet që janë kryer gjatë luftës së fundit.

Në raportin për 24 orët e fundit, Policia e Kosovës njoftoi të premten për arrestimin e shtetasit të Serbisë, nën dyshimin për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998 dhe 1999.

“Pas një pune hetimore të kryer nga Njësia e Hetimeve të Krimeve të Luftës, është identifikuar dhe arrestuar i kërkuari mashkull serb për krime lufte, të kryera ndaj popullatës civile në Kosovë në periudhën gjatë viteve 1998-1999”, është shkruar në raportin e Policisë së Kosovës.

E, në Istog banorët thonë të kenë parë të arrestohen të dyshuar edhe më herët, por që më vonë janë liruar.

Aktivisti Skender Shatri, i cili gjatë luftës ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon se si para dy vjetësh kishte dorëzuar një dosje me dëshmi, të cilat tregonin se një qytetar serb kishte marrë pjesë në disa masakra që ishin bërë në këtë pjesë.

“Unë personalisht kam dorëzuar para dy vjetësh, për një rast, dosje. Tash nuk po përmendi emra, edhe personi i akuzuar, edhe i arrestuar, pas disa muajsh është liruar, pra ‘në mungesë të provave’. Edhe prova ka pasur të mjaftueshme sepse kanë qenë dëshmi që ka marrë pjesë në masakrën e Salihajve, Shushicë... Kemi masakrën e Leqinës, këtu afër që është me Drenicë, kemi masakrën e Padalishkës, Imerajve, kemi masakra të tilla”, ka treguar Shatri.

Ai e ka vlerësuar shqetësues këtë fakt dhe ka shprehur kërkesën që institucionet përgjegjëse ta trajtojnë më seriozisht çështjen e krimeve të luftës.

“Është për të ardhur keq. Sigurisht që njerëzit në raste të tilla kanë bërë denoncime, dosje, mirëpo nuk është duke shkuar ashtu siç është dashur të ecë puna, në raste të tilla”, shprehet ai.

E, Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se të dyshuarit 54-vjeçar, që është arrestuar një ditë më parë, tashmë i është caktuar edhe masa e paraburgimit për një muaj. Ajo ka dhënë një arsye pse polici i Serbisë që dyshohet për krime lufte duhet të qëndrojë prapa grilave.

“(Meqë v.j.) i pandehuri është shtetas i Republikës së Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, ekziston rreziku real se i njëjti mund t’i shmanget ndjekjes penale”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Gjykatës.

Prokuroria Speciale e Kosovës, përgjegjëse për hetimin e krimeve të luftës, nuk ka dhënë informacione gjatë së premtes mbi dyshimet që ekzistojnë për Joliqin dhe as për masakrat ku ai besohet të ketë marrë pjesë.