Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj për dy policë të këtij rajoni. Në aktvendimin e Gjykatës thuhet se të dy zyrtarët policorë kanë kryer veprat penale me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete.
I. F., që në Prizren ishte pjesë e njësisë për hetimin e krimeve ekonomike, dyshohet për dy vepra penale, atë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
“Gjatë vitit 2018 dhe në vazhdim deri më dt. 12. dhe 26.07.2019 në cilësinë e personit zyrtar — hetues i Njësisë rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, për lëndën, respektivisht hetimin që e ka kryer, ku i dëmtuari M.B., ka qenë i dëmtuar për veprën penale të fajdesë, e për të cilën vepër penale të pandehurit janë dënuar, pranon dhuratën edhe atë dy automjete, një e tipit VW Tauran, dhe një automjet të tipit Golf 5, e të cilat i dëmtuari ia kishte blerë nëpërmes kontratës së Lizingut, në shumë prej 12.000 eurosh”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë. Tutje, nga organi i hetuesisë, bëhet e ditur se I. F. ryshfet ka marrë dy vetura në vlerë mbi 20 mijë euro, nga personi të cilin ai po e hetonte.
“Më dt. 12. Dhe 26.07.2019 në cilësinë e personit zyrtar - hetuesi Njësisë rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prizren, pranon dhuratë për vete dhe personin tjetër, në mënyrë që ka vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që pranon nga i pandehuri N.K. dhuratë dy vetura, një veturë e llojit Volkswagen Touran dhe veturën Volswagen Golf, e cila është gjetur te djali i tij L.F., vetura këto të marra përmes kontratave të Lizingut financiar më dt. 12.07.2019 dhe dt. 26.07.2019, të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari M.B., e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën prej 20.109.89 eurosh”, thuhet në argumentimin e Prokurorisë, në kërkesën për paraburgim.
Ndërkaq, K.G. dyshohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, kur qëllimisht e lejon një person pa dokumente ta kalojë kufirin.
“Më dt. 09.08.2020 në orën 08:04 min., në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar - polic në pikën kufitare të Vërmicës pranë Drejtorisë rajonale të policisë kufitare — Perëndim nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij dhe me dashje e shkel ligjin lidhur me detyrat e tij zyrtare dhe me dashje nuk e kryen detyrën e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që pas marrëveshjes me të pandehurin N.K., ia mundëson drejtuesit të automjetit Peugeot me targa gjermane kalimin e kufirit, edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid - autorizim për drejtimin e automjetit me targa të shtetit gjerman brenda dhe jashtë shtetit të Kosovës, në mënyrë të njëjtë vepron edhe me datat 17.08.2020, 30.08.2020 dhe 16,10.2020”, shkruhet në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.
Masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata për I. F. po kundërshtohet nga mbrojtja e tij.
“Çështja ka të bëjë me kinse gjatë kohës si hetues që i ka bërë favor një personi për veprat penale për fajde, si dhe ky ka kërkuar favor ndaj këtij personi. Kjo nuk është e vërtetë, sepse asnjë provë nuk e dëshmon këtë, gjerë më sot”, është shprehur Gent Gjini, avokat i policit I. F.
Në paraburgim për të njëjtin rast janë edhe dy qytetarë të tjerë. N.K., që dyshohet për tri vepra penale, fajde, detyrim dhe mashtrim të M.B., që po hetohej nga polici I. F. për fajde.
Pjesë e hetimit është edhe A.K., që dyshohet për mashtrim, po ashtu të M.B., ku sipas Prokurorisë në bashkëpunim me N.K., e kanë bindur të njëjtin të marrë kredi në vlerë prej 80 mijë eurosh e po ashtu kanë tërhequr mbi 4 mijë euro nga llogaria e M.B.
N.K., që nga viti 2014 ka marrë nga M.B., i cili dyshohej për fajde, shuma të ndryshme parash, sipas Prokurorisë së Prizrenit, mbi 90 mijë euro.