Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT, ka njoftuar se për shkak të një intervenimi emergjent në transformatorin energjetik në Prizren, nga ora 20:00 deri në orën 22:00 do të bëhet shkyçja e transformatorit në nënstacionin 1 110/35/10kV.
KOSTT-i ka njoftuar të hënën se shkyçja po bëhet për të krijuar kushte të sigurisë në punë, derisa u tha se punimet po realizohet “me qëllim të rritjes së stabilitetit dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike”.
“Njoftohen qytetarët që me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë, për të mundësuar intervenimin emergjent në transformatorin energjetik Tr-3 110/10kV në NS Prizreni 1 110/35/10kV sot nga ora 20:00 deri në 22:00, do të bëhet shkyçja e këtij transformatori në nënstacionin në fjalë. Gjatë intervalit të lartcekur kohor, një pjesë e qytetarëve/institucioneve që furnizohen nga transformatori energjetik Tr-3 110/10kV në NS Prizreni 1 110/35/10kV do të mbesin pa furnizim me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.
KOSTT-i kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve.
Shumë qytete të Kosovës po përballen me mungesë të energjisë elektrike tash e disa ditë.
Kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, ka paralajmëruar se qytetarët do të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, derisa ka theksuar se prodhimi është në maksimum, por tha se rrjeti po mbingarkohet shkaku i “zhvillimit ekonomik”.