Disa nga pacientët e Klinikës së Onkologjisë kanë mbetur pa iu nënshtruar rrezatimit qe gati dy javë. Ata kanë treguar për KOHË-n se u janë shtyrë seancat ditore. Në Klinikën e Onkologjisë thanë se kjo ka ndodhur si pasojë e një defekti që ka pësuar njëra nga dy aparaturat. U zotuan për sanim të shpejtë dhe thanë se po u bëhet zgjidhje pacientëve.
Një nga dy aparaturat për rrezatim në Klinikën e Onkologjisë ndodhet jashtë funksionit që gati dy javë.
Pacientë me të cilët ka biseduar KOHA kanë treguar në kushte anonimiteti se u janë shtyrë seancat ditore dhe se janë në pritje të telefonatës nga klinika për të marrë trajtimin.
Radioterapia, që realizohet nëpërmjet kësaj pajisjeje, ka qëllim parandalimin e rritjes së qelizave të kancerit e edhe shkatërrimin e tyre.
Në Klinikën e Onkologjisë thanë se si pasojë e defektit të njërit akselator, sipas mundësisë, janë duke shfrytëzuar tjetrën pajisje.
“Pacientët janë duke u rrezatuar në Akceleratorin 2 normalisht, dhe nga e premtja edhe ata që kanë pasur me u rrezatu në Akceleratorin 1 kanë filluar me u bartë në Akceleratorin 2, dhe sot mbi 80 pacientë janë duke u rrezatuar normalisht, ndërsa nga e mërkura e kaluar njëri Akcelerator është në një defekt momental dhe servisim dhe sipas menaxherit të kontratës për servisim, pjesa është porositur dhe këto ditë pritet të rregullohet. Pra njëri aparat ka 4-5 ditë që është në defekt dhe pacientët janë duke u bartë në Akceleratorin 2”, tha drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
Kurtishi tha se do t’u japin përparësi rasteve më të ndjeshme.
“Sa për informim, 53 pacientë kanë qenë duke u rrezatuar në Apartin 1 dhe shumica nga ta veç se janë bartur në aparatin 2 dhe vijojnë trajtimin normalisht, ndërsa brenda javës gati të gjithë do të vazhdojnë trajtimin. Në pritje janë pacientët të cilët e kanë bërë CT simulimin ose janë lajmëruar tek ne për rrezatim para 10-12 dite dhe gjithsej janë 9 raste kurative ose Adjuvante dhe 7 raste paliative! Rastet paliative do të fillojnë. Çdo ditë me nga 3 raste, sepse konsiderohen me prioritet!” – tha Kurtishi.
KOHA ka raportuar edhe vitin e kaluar për defekte të herëpashershme të aparaturave të Klinikës së Onkologjisë.
Në gushtin e 2023-s Klinika e Onkologjisë është pajisur me akselator të ri, i cili përfshin teknikë të re të rrezatimit.