Arbëri

Një muaj paraburgim për Hafizin

Naser Hafizi

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim Naser Hafizit, ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, që u arrestua të enjten.

Hafizi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.

Gjykata ka vlerësuar se nëse i dyshuari mbetet në liri “mund të përdoret si mundësi reale që ai të ndikojnë në dëshmitarët kyç të këtij rasti penal”. 

“Gjykata vlerëson se është caktuar masa e paraburgimit duke marr parasysh peshën e veprave penale, të cilat janë të natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre është tejet e lartë, sepse janë vepra penale me të cilat atakohet në mënyrë të drejtpërdrejtë buxheti publik, i cili dyshohet se është dëmtuar në masë të madhe, andaj këto rrethana, krijojnë dyshimin se i pandehuri N.H nëse lihet në liri, do të kryej sërish vepra penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda. Gjyqtari i procedurës paraprake vlerësojë se ne rastin konkret masat tjera alternative për të pandehurin N.H, nuk do të arrinin qëllimin e masave, andaj nga kjo arsye u vendos që të caktohet masa  e paraburgimit, si masë e cila  tani për tani është e domosdoshme dhe efektive me qëllim të zhvillimit të pa penguar, të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftim të Themelores.

Hafizi u arrestua të enjten në Aeroportin e Prishtinës, me të aterruar.

Dy ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi një muaj arrest shtëpiak ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi.

Në Prokurori nuk kanë treguar se për çfarë rastesh keqpërdorimi janë dyshimet.

Gjatë bastisjes së Prokurorisë të martën, janë sekuestruar një varg provash në mesin e tyre edhe një revole e Bytyqit.

Prokuroria ka lëshuar urdhër të përkohshëm ndalimi edhe për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe në Fushë-Kosovë.

Në deklarim të pasurisë, i arrestuari Bytyqi ka në pronësi 4 banesa, ndërkaq Hafizi ka në pronësi një banesë.