Ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup.
Kjo u bë e ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës informon opinionin se shtetasit të Republikës së Kosovës, Blerim Ramadani, i është caktuar masa 30-ditore e paraburgimit me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup”, thuhet në njoftim.
Blerim Ramadani është ndaluar të mërkurën në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletë arresti të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se Ambasada e Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridik për lirimin sa më të shpejtë të Ramadanit dhe kthimin e tij në familje.
Siç njoftohet, institucionet e Kosovës “do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tonë”.
Klinaku: I papranueshëm vendimi për një muaj paraburgim ndaj Ramadanit nga shteti artificial i Maqedonisë

Vendimin e Themelores në Shkup për 30 ditë burgim ndaj Ramadanit e ka cilësuar si të papranueshëm ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
Ai e ka quajtur Maqedoninë e Veriut shtet artificial, duke shtuar se Kosova duhet të ndërmarrë menjëherë hapa në drejtim të lirimit të tij.
“Shteti i Kosovës duhet që menjëherë të ndërmarr hapa në drejtim të lirimit të tij, sepse Serbia kriminale nuk ka të drejtë të gjykoi veteranët e luftës së UÇK-së që kanë bërë luftë në Kosovë për çlirim nga pushtuesi serb. Këta që kanë ndihmuar gjoja ndryshimin e pushtetit të shqiptarëve atje, por edhe ata që thirren se janë ndryshimi si VLEN, janë të mjerë që nuk po e thonë as edhe një fjalë të vetme”, ka shkruar Klinaku në Facebook.