Arbëri

Një hulumtim shpërfaq dukurinë e ngacmimeve seksuale në universitete e kolegje

Prezenca e ngacmimeve seksuale në ambientet akademike është evidentuar në hulumtimin shkencor “Masivizimi i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut”.

Në hulumtimin shkencor, rezulton se nga 487 studentë të anketuar në Kosovë, rreth 3 për qind janë shprehur se janë ngacmuar seksualisht nga profesorët e tyre. Pastaj 25 për qind kanë thënë se kanë dëgjuar për raste të sjelljeve joetike të profesorëve ndaj studentëve, e tre për qind kanë deklaruar se kanë qenë vetë dëshmitarë të ngacmimeve seksuale.

Hulumtimi shkencor, i cili përfshin studentë të institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat, shpërfaq raste të ryshfetit të iniciuar nga profesorët për kalimin e provimit apo për regjistrim në programet studimore.

Profesoresha universitare Albulenë Kastrati, e cila është bashkautore e hulumtimit, tha se ka pasur mungesë të raportimit të këtyre rasteve nga studentët.

 “Në bazë të statistikave që i kemi mbledh në pyetësorët anonim, 86 për qind e studentëve janë paraqitur se nuk i kanë raportuar fare këto raste, vetëm 9 për qind i kanë raportuar në universitet, rreth katër për qind në polici, vetëm një ose dy për qind në media që është e nënkuptueshme se janë raste të ndjeshme dhe kërkojnë edhe guxim studentor për t’i raportuar. Arsyet madje pse nuk i kanë raportuar këto raste janë se nuk e dinë ku me i raportuar ose thonë se mungojnë strukturat adekuate në kuadër universiteteve ku munden me i raportuar këto raste, ose përqindja më e madhe kanë thënë se është e kot dhe e paefektshme pasi profesorët që implikohen në këto raste janë të lidhur”, ka deklaruar Kastrati.

Studimi paraqet se institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor kanë metoda të vjetërsuara të mësimdhënies, mungesë të kuotave të regjistrimit dhe mospërputhje të aftësive me kërkesat e tregut të punës.

Pakënaqësitë me institucionet arsimore, sipas hulumtimit, janë më të numërta nga studentët, të cilët janë shprehur se dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit, me idenë se universitet ndërkombëtare u sigurojnë punësim më të lehtë.