Çka thotë MSH-ja

Një faqe rrejshëm u kërkon qytetarëve të regjistrohen “për të përfituar falas sigurime shëndetësore”

Një faqe në rrjetin social “Facebook” po proklamon se që nga prilli, Qeveria e Kosovës ka filluar zbatimin e Sigurimeve Shëndetësore. Përmes njoftimeve ka kërkuar nga qytetarët mbi 50 vjeç që të regjistrohen. Megjithatë, fillimi i zbatimit të Sigurimeve Shëndetësore nuk është as afër të fillojë. Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se rastin do ta procedojnë në institucionet e hetuesisë

Qeveria e Kosovës nuk ka një plan të saktë e as parashikim se kur mund të nisë zbatimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

Megjithatë, një faqe në rrjetin social “Facebook” këtë muaj ka filluar të shpërndajë informata të rreme duke u thirrur në emër të Qeverisë së Kosovës. 

Në njoftimin e postuar në rrjetet sociale në faqen e quajtur QËE, të datës 6 prill thuhet: “Qeveria e Kosovës ofron sigurim shëndetësor falas. Klikoni për të aplikuar për sigurimin tuaj ekskluziv mjekësor”.
Më tutje aty theksohet që Qeveria e Kosovës, Drejtoria e Shëndetësisë duke filluar nga prilli i vitit 2024, do të ofrojë sigurim shëndetësor falas për personat mbi moshën 50 vjeçare.

Në vijim të postimit janë përcaktuar disa kategori në bazë të moshës.

Kur klikohet mbi linkun për regjistrim hapet një faqe që thotë se merret me sigurime shëndetësore e jetësore.

Janë dhjetëra njerëz që e kanë shpërndarë këtë postim.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, nëse qëndrojnë prapa këtyre postimeve.
Në këtë institucion kanë deklaruar që njoftimi nuk është i tyre. Pasi janë informuar nga KOHA për përmbajtjen e postimit, këshilltari politik i ministrit Arben Vitia ka thënë që rastin do ta denoncojnë në hetuesi.

“Ne sapo kemi marrë informacion në lidhje me këtë postim apo lajm të rremë. Menjëherë rastin do ta raportojmë në organet e rendit, përkatësisht në Policinë e Kosovës”, ka thënë Egzon Azemi, këshilltar politik i ministrit Vitia.

Faqja që proklamon këto lloj sigurimesh nuk ka numër kontakti. KOHA ka dërguar mesazh te kjo faqe, por askush nuk është përgjigjur.

Saga e sigurimeve Shëndetësore ka histori dekadëshe.

Secila Qeveri në dekadën e fundit ka premtuar zbatim të Ligjit për Sigurime Shëndetësore që daton prej vitit 2014, por punët në drejtim të realizimit kanë qenë pothuajse të papërfillshme.

Vitin e kaluar, Raporti i Progresit e pati përmendur si problem mungesën e Sigurimeve Shëndetësore.
Mungesa e sigurimeve, sipas Raportit të Progresit ndikon në qasje më të ulët në shërbimet thelbësore shëndetësore për ata që janë në situata të cenueshme, siç janë ata që jetojnë në varfëri, në zonat rurale dhe personat që u përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.