Arbëri

Nisma gjermane vlerësohet si shtysë përfarimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në

Përfitimet dhe mundësitë që i ofron Procesi i Berlinit janë diskutuar në premten në Prishtinë. Në një panel që mblodhi zyrtarë qeveritarë e përfaqësues të Gjermanisë në Kosovë, u theksua se kjo nismë ka sjellë përfitime për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për përafrim mes vete, por edhe me Bashkimin Evropian

Shënimi i dekadës së parë të Procesit të Berlinit ka bërë bashkë të premten përfaqësues të Gjermanisë dhe të Qeverisë, në Prishtinë.

Në një diskutim mbi këtë nismë gjerman, ambasadori i këtij shteti në Kosovë, Jorn Rohde, i theksoi përfitimet e gjeneruara gjatë 10 vjetëve të Procesit të Berlinit, e të cilin e kualifikoi si dëshmi të angazhimit të Gjermanisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ajo që mund të tingëllojë teknike, krijimi i një tregu të përbashkët rajonal ndikon në jetën e njerëzve, bizneseve, studentëve çdo ditë për shkak të procesit të Berlinit. Tarifat e roaming-ut të telefonave tuaj celularë janë më të ulëta, për shkak të Procesit të Berlinit, ka një partneritet rajonal klimatik me Gjermaninë që vlen më shumë se 1.5 miliardë euro, për shkak të Procesit të Berlinit. Ju mund të udhëtoni me letërnjoftime në rajon”, ka thënë Rohde.

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, theksoi se Procesi i Berlinit ka qenë shtysë që vendet e rajonit të afrohen me njëra-tjetrën dhe të lidhen më shumë me Bashkimin Evropian.

“Kjo është pjesa e parë që është shumë e rëndësishme që ne e kemi pasur këtë proces dhe ne festojmë, dhe Kosova ka qenë mbështetëse kryesore, duhet të them se kemi qenë shumë aktivë dhe proaktivë, sepse siç tregojnë shifrat, është në interes të Kosovës, dhe sigurisht një arritje e madhe ka qenë përveç agjendës së lidhjes ka qenë Tregu i përbashkët Rajonal, të cilin e përmendëm”, ka shtuar ai.

E Alban Hashani nga Instituti Riinvest, e theksoi rëndësinë e tregut të përbashkët dhe të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.

“Tregu i përbashkët rajonal dhe, veçanërisht me marrëveshjen për CEFTA-n dhe miratimin e diferencimit të dytë të planit të veprimit të tregut të përbashkët rajonal, mendoj se janë hapa të rëndësishëm për të riafirmuar rolin e Procesit të Berlinit, por edhe për të riafirmuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së”, ka deklaruar Hashani.

Takimi jubilar i Samitit të Berlinit është zhvilluar në fillim të kësaj jave në kryeqytetin gjerman.

Liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor në këtë samit nënshkruan një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila e përfshin qasjen në arsimin e lartë.