Punimet në unazën e qytetit në Prishtinë kanë filluar të hënën.
Kryetari i komunës, Përparim Rama, duke i parë nga afër këto punime, ka njoftuar se planifikohet që punimet në këtë unazës të zgjasin rreth 120 ditë.
Në deklarimin e tij për media, Rama ka thënë se kjo unazë do t’i ndihmojë trafikut në kryeqytet, duke lehtësuar lëvizjen drejt rrugëve që çojnë për në Mitrovicë e Fushë-Kosovë.
“Do t’i ndihmojë shumë trafikut, e kemi një ndërlidhje që na mundëson që një numër i madh i makinave tash të ketë hyrjen në njërën anë, daljen në anën tjetër, e kjo dalje na mundëson sërish të lidhemi drejtpërdrejt me kalimin nën urë për Mitrovicë, po ashtu edhe për Fushë-Kosovë, në të ardhmen e afërme, mirëpo çka është me interes shumë të madh për kryeqytetin dhe për përmirësimin e gjendjes në trafik është që tash do ta kemi këtë ndërlidhje të drejtpërdrejt me pjesën e Arbërisë, që ka më shumë se 30 mijë banorë”, ka thënë Rama.
Ai ka shtuar se nuk ka arsye për vonesa, teksa është shprehur optimist që punimet do të përfundojnë brenda planit dinamik.
“Këto janë projekte të cilat sot vetëm se po fillojnë. Kemi një plan dinamik 120 ditësh, shpresoj që të veprojmë përbrenda këtij plani dinamik, për fat të keq me pjesën tjetër kemi pasur probleme që nuk na kanë lejuar t’i përmbahemi planit dinamik, por këtu nuk kemi asnjë arsye për vonesa dhe jam optimist që përbrenda 120 ditëve do ta kemi këtë pjesë të përfunduar që do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për kryeqytetin dhe për trafikun”, ka thënë ai.
VIDEO: