Ministria e Shëndetësisë ka marrë në shfrytëzim një objekt të një ndërmarrjeje shoqërore, ku planifikon bartjen e Depos Qendrore të Barnave dhe zyrave të farmacistëve. Transferimit pritet t’i paraprijë kalimi rinovimi i hapësirave, me qëllimin për të siguruar kushte për ruajtjen e barnave që aktualisht ndodhen në hapësira joadekuate
Në një objekt që ndodhet në rrugën nacionale Prishtinë-Fushë Kosovë pritet të transferohet Depoja Qendrore e Barnave së bashku me zyrat e zyrtarëve të farmacisë së Ministrisë së Shëndetësisë.
Objekti me sipërfaqe prej 62 ar, i takon një ndërmarrjeje shoqërore, por Agjencia Kosovare e Privatizimit gjatë javës ia dha me qira Ministrisë së Shëndetësisë për shfrytëzim, dhe Qeveria synon t’ia ndërrojë statusin objektit dhe t’ia kalojë Ministrisë në pronësi.
Dardana Mehaj që është drejtoreshë e Barnatores në SHSKUK, thotë se depoja e re do të dallojë shumë nga aktualja.
“Janë paraparë të gjitha këto që ajo me qenë një prej depove me standarde që i ka hije një shteti. Për këtë rast, vizitë studimore është bërë në Tiranë. Aty e kemi parë që është me të vërtetë një depo që i plotësonte të gjitha standardet, mirëpo projekti që e kemi, besoj që do t’ia kalojë edhe depos së Tiranës”, ka thënë Mehaj.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se synimi është ta marrë në pronësi objektin, dhe në të pastaj të kryhen punimet e nevojshme.
“Pas marrjes së pëlqimit për bartje të pronës prej AKP-së në MSh, në ditët në vijim do të plotësohet dokumentacioni për aplikim për bartje të pronës në emrin e MSh-së, në Kadastrën e Komunës. Pasi të jetë bartur prona, atëherë do të merret leja e ndërtimit, sipas riprojektimit të depos qendrore të barnave, zyrave dhe aneksit të objektit. Ky objekt do të ketë edhe proceset e digjitalizuara dhe robotikën për depo, si dhe pjesa e asgjësimit të mbetjeve medicinale”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë.
E drejtoresha e Barnatores në SHSKUK tregon se si do të duket depoja e re e barnave.
“Në objekt që është paraparë pjesa e poshtme me qenë depo, kurse lart, se është objekti bajagi i lart janë paraparë me qenë zyrat. Më shumë se 10 zyrat, domethënë që ka me qenë për zyrtarët që janë aktualë në Departamentin e Farmacisë sepse ata aktualisht janë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Mehaj.
Aktualisht depo qendrore e barnave që mbikëqyret nga Ministria e Shëndetësisë ndodhet brenda kompleksit të Pallatit të Rilindjes. Vite më parë, KOHA ka raportuar se si barnat për sistemin parësor publik shëndetësor ruhen në një objekt me kushte të rënda, pa ndriçim, pa ajrosje, me hapësira të dëmtuara e pa ndarje adekuate mes barnave me afat dha ato të skaduara.
Objekti i ri në katin përdhese ka dy hapësira për zyrë dhe katër depo të madhësive të ndryshme, e në katin e parë shtatë zyra.