Arbëri

Nis sezoni i ngrohjes, Rama paralajmëron faturim në bazë të konsumit nga viti i ardhshëm

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të enjten ka vizituar ngrohtoren e kryeqytetit, “Termokos”, nga ku ka paralajmëruar se nga viti i ardhshëm qytetarët do të faturohen në bazë të konsumit.

Sipas Ramës, këtë vit do të jetë faza testuese e nga viti tjetër faturimi do të bëhet në bazë të konsumit.

“Atyre të cilëve iu është instaluar matësi se sa shpenzoni brenda muajit i ftoj që t’i përdorin ata matës sepse iu mundëson që ta mbajnë një temperaturë konstante. Pa pasur nevojë që t’i ngrohin shumë banesat e tyre mandej t’i hapin dritaret. Sepse sa më shumë që ne konservojmë aq më shumë mund të shtrihemi më shumë. Kemi vendosur që këtë vit të jenë në fazë testuese e në vitin tjetër do t’i bëjnë tarifat në bazë të konsumit”, ka thënë Rama.

Fisnik Osmani, kryeshef në “Termokos”, ka thënë se ka qenë vit mjaft sfidues për ngrohtoren pasi sivjet është shtrirë edhe në më shumë lagje të Prishtinës.

“Ka qenë periudha më sfiduese për ne që nga funksionimi i ndërmarrjes sepse e kemi zgjeruar ndjeshëm masiv në periudhën e fundit. Si menaxhimet po kujdesemi që të keni shërbim të mirë dhe cilësorë. Jemi të vetëdijshëm që disa banesa apo lagje nuk e kanë ende ngrohjen, mirëpo do t’i rregullojmë këo gjëra teknike ekipi ynë është gjatë gjithë kohës në terren dhe do të jetë pranë jush në probleme të tilla. Kërkojë edhe një herë mirëkuptimin e të gjithëve”, ka thënë Osmani.