Arbëri

Nis përgatitja e padisë kundër shtrenjtimit të energjisë

Ka nisur puna për përgatitjen e padisë që protestuesit e paralajmëruan të premten ndaj ZRRE-së lidhur me vendimin për shtrenjtimin e rrymës për 16.1 për qind nga 1 maji. Për përgatitjen e saj është angazhuar tashmë edhe avokat. E juristë kanë vlerësuar që në rast se kjo padi pranohet nga Gjykata, atëherë vendimi i ZRRE-së edhe mund të rrëzohet dhe procesi të kthehet në pikën zero

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtimin e rrymës për 16.1 për qind nga 1 maji, ka aktivizuar një numër qytetarësh dhe aktivistësh për t’i ndjekur rrugët ligjore e juridike kundër këtij institucioni.

Ata kanë paralajmëruar gjatë protestës të së premtes se do të ngrenë padi ndaj ZRRE-së dhe për këtë synim kanë angazhuar avokatin Ardian Bajraktari.

E Bajraktari ka konfirmuar përgatitjet për padinë dhe i ka thënë KOHËS të shtunën se është në pritje të publikimit të vendimit të plotë të ZRRE-së për ta dorëzuar pastaj padinë konform afateve ligjore.

“Determinues është që të presim sa më parë publikimin e vendimit, gjë e cila natyrisht që është dashur të bëhet, sepse edhe ligji e obligon që menjëherë të bëhet publik një vendim i tillë, prandaj vlerësoj që sa më parë të jetë e mundur, ta kemi vendimin në mënyrë që të analizojmë edhe arsyetimin e tij, për çka natyrisht që do të veprojmë konform afateve ligjore”, ka thënë avokati Bajraktari.

Në bazë të analizave që ka bërë, ai ka thënë se procesi që ka shpënë në vendimin e së premtes të ZRRE-së është përcjellë me shkelje ligjore.

“Iu ka pamundësuar palëve të interesuara për të ofruar komente brenda afateve të përcaktuara, për faktin se neni 27 e obligon ZRRE-në për çështje kaq të ndjeshme së paku 15 ditë të jetë në proces konsultimi dhe me aq sa kemi parë nuk është respektuar, ky afat”, ka thënë Bajraktari. “Për më tepër, vlerësojmë që ka shkelje edhe të parimeve mbi bazën e të cilave duhet të vendoset për çështjen e vendosjes së tarifave dhe për faktin se arsyeshmëria e tyre është njëra prej elementeve determinuese, për çka që, me aq sa kemi parë, publiku nuk ka arritur mjaftueshëm të bindet që procesi ka qenë në pajtim me ligjin”.

E në rast se Gjykata e aprovon padinë që është paralajmëruar, si Bajraktari, ashtu edhe juristi Anton Nrecaj thonë se vendimi i ZRRE-së për shtrenjtësimin e rrymës mund edhe të rrëzohet.

“Në procesin gjyqësor e gjitha çka mund të presim është epilogu në të mirën e qytetarëve. Mund të jetë që vendimi i ZRRE-së të rrëzohet dhe gjithë procesi të kthehet në pikën zero, në mënyrë që gjithçka të iniciohet nga pika zero dhe vendimi të merret në interes të asaj se çka quhet interes nacional”, ka thënë juristi Nrecaj.

ZRRE-ja fillimisht pati propozuar që rritja e çmimit të rrymës të jetë rreth 15 për qind, porse kjo përqindje u ngrit të premten.

E njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka shprehur shqetësimin se Kosova po hyn në një cikël të pafund të shtrenjtimit të rrymës.

Përgjatë katër vjetëve të fundit, energjia elektrike është shtrenjtuar edhe dy herë të tjera.