Arbëri

Nis numërimi i votave për deputetë edhe në Ferizaj

Ferizaj

Ferizaj

Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë po vazhdon edhe sot në disa komuna të Kosovës, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Qendrat Komunale të Numërimit në qytetet kryesore të vendit, përfshirë Prishtinën, Mitrovicën, Gjilanin dhe Gjakovën, kanë nisur punën që nga ora 08:00.

Gjithashtu, edhe në Ferizaj ka filluar procesi i numërimit, duke u bashkuar me komunat e tjera si Deçani, Drenasi, Fushë Kosova, Kamenica, Lipjani, Obiliqi, Skënderaji, Shtërpca, Viti, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti, Mitrovica e Veriut dhe Hani i Elezit.

Për qendrat e tjera të numërimit që ende nuk kanë nisur procesin, KQZ-ja ka njoftuar se do të japin informacione të mëtejshme gjatë ditës. Institucionet përkatëse po sigurohen që procesi të zhvillohet sipas rregullave dhe në mënyrë transparente.

Ndërkohë, në rezultatet preliminare, KQZ-ja ende nuk ka procesuar shtatë vendvotimet e tfundit.

Nga procesimi i 2526 vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84 për qind të votave, apo 341 mijë e 672 vota. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 184 mijë e 499 vota apo 22.05 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e treta me 17.67 për qind apo 147 mijë e 827 vota. Koalicioni AAK-Nisma, konservatorët dhe intelektualët ka marrë 62 mijë e 309 vota apo 7.45 për qind, si subjekti i fundit që ka siguruar kalimin e pragut prej 5 për qind. Lista Serbe ka marrë 38 mijë e 83 vota ose 4.55 për qind. Ndërsa Koalicioni për Familje ka marr 2.26 për qind ose 18 mijë e 905 vota.

Ka pasur ankesa për problemet që janë shfaqur në sistemin e KQZ-së që nga dita e zgjedhjeve.

VIDEO: