Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) pritet të marrë vendim sot për ta rritur çmimin e rrymës deri në 16 për qind gjatë një mbledhjeje që është duke e mbajtur në këto momente, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të brendshme.
Megjithë përpjekjet e gazetarëve të pranishëm në mbledhje që të marrin përgjigje nga shefi i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ky i fundit nuk është përgjigjur se sa është rritur çmimi i rrymës në përqindje.
Bordi miratoi kërkesat e tre operatorëve energjetikë për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit), OSSH (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes) dhe FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal). Nga Bordi u tha se do të sqarohen përmes komunikatës.
Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka thënë gjatë mbledhjes së Bordit se kanë shqyrtuar ankesat dhe kanë analizuar shkaktarët e rritjes së kostos së shërbimit.
“Në detaje i kemi analizuar shkaktarët kryesore që kanë të bëjnë me rritjen e kostos shërbimit. I kemi 4 shkaktarë që kanë ndikuar, ndryshimet në kostot e blerjeve të energjisë nga furnizuesi me shërbim universal, ndryshimet në kostot e blerjes të energjisë nga operatori i sistemit të shpërndarjes, parashikimi i çmimeve të energjisë dhe importeve për 2025 dhe parashikimi për koston e shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit. Në vlerësimet e 2025 është parashikuar edhe import pasi njësitë gjeneruese janë në planifikim të mirëmbajtjes”, ka thënë ai.
Nis mbledhja e ZRRE-së
Ka nisur mbledhjen Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ku pritet vendimi mbi propozimin për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.
Pos vendimit për propozimin për çmimin e ri, do të vendoset edhe nëse çmimet e reja do të hyjnë në fuqi retroaktivisht për muajin prill apo nga 1 maji.
Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, e pati arsyetuar propozimin për rritje prej 15 për qind, duke thënë se kjo është shkak i çmimeve në bursa të energjisë.
“Shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodhur në bursat e energjisë elektrike, ky është shkaktari kryesor dhe nuk ka përshtatje të tjera që kanë ndikuar në këtë 15%. Të jeni të sigurt edhe në raport me investimet dhe vlerat e tjera të efikasitetit dhe në raport me lakoren e humbjeve, rregullatori i ka njohur vetëm ato që i ka njohur gjatë shqyrtimit. Shkaktari kryesor për rritjen e propozimit të rrymës është çmimi i shkaktuar i energjisë elektrike. Duhet të kemi konsideratë që gjatë këtij viti njësitë e Kosovës B do të jenë në remont të gjatë dhe kërkesa për import është e domosdoshme për të mundur të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm për konsumatorët”, pati thënë ai.
