Subjektet politike kanë nisur zyrtarisht fushatën elektorale të shtunën, për zgjedhjet nacionale që do të mbahet më 9 shkurt. Fushata do të jetë më e gjatë sesa të deritashmet, meqë procesi parazgjedhor dhe zgjedhor organizohet me disa ndryshime që janë bërë në Ligjin për zgjedhjet.
Një ditë para zgjedhjeve, të shtunën, deri në këto zgjedhje ka qenë heshtje zgjedhore, ku kanë qenë të ndaluara aktivitetet partiake gjatë asaj dite. Me ligjin e ri, heshtje zgjedhore konsiderohen vetëm orët sa kutitë e votimit janë të hapura.
Mazllum Baraliu ish-kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor dhe profesor i juridikut, thotë se ky ndryshim është bërë me kërkesë të partive politike, për t’i shfrytëzuar orët e fundit të fushatës.
“Janë shumë të rëndësishme ato momentet dhe orët vendimtare të fundit. Subjektet politike e kanë vlugun, e kanë kulminacionin e aktivitetit të tyre, emulacionit të tyre, veprimeve politike, kontaktet me qytetarë dhe vullnetit për të ndryshuar gjendjen në favor të tyre”, ka thënë Baraliu.
Gjithashtu, në këto zgjedhje numri i deputetëve që mund të zgjedhin qytetarët në fletëvotim është 10, për dallim nga zgjedhjet e kaluara që ka qenë 5.
Baraliu thotë se kjo mund të çoj në numër më të madh të votave të pavlefshme.
“Me siguri që do të jetë një vështirësi për komisionet komunale zgjedhore, trupat zgjedhorë, komisionarët në qendrat e votimit dhe në vendvotime dhe do të shohim se a do të sjellë më shumë dobi për subjektet politike, gjë që është pretenduar nga ta, apo mbase jo. Sepse votuesi mund të votojë vetëm një nga dhjetë ose duke votuar dhjetëshen të bëjë një gabim dhe t’i shpallet fletëvotimi i pavlefshëm”, ka deklaruar ish-kryetari i KQZ-së.
Por sipas Baraliut, mundësia për të zgjedhur 10 kandidatë për deputetë i ka edhe përparësitë e veta.
“Kjo do të ndikojë pozitivisht. Në qoftë se ka këtë vetëdije votuesi, në strukturën e ardhshme të kuvendit të ri e cila më pas prodhon edhe qeverinë”, ka theksuar ai.
Në këto zgjedhje ka ndërruar edhe mënyra e monitorimit. Baraliu thotë se kjo pamundëson pazaret brendapartiake për favorizimin e ndonjë kandidati për deputet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka certifikuar të shtunën listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës, dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote më 9 shkurt, kur do të mund të zgjedhin mes 27 subjekteve politike që janë në garë.