Nën sloganin “Për kokërr të qejfit”, është bërë hapja zyrtare e festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest” në Rahovec. Edicioni i sivjetmë e shënon 10-vjetorin e festivalit
Me prerjen e kalaveshit të rrushit është bërë hapja zyrtare e festivalit tradicional të vjeljes së rrushit në Rahovec, “Hardh Fest”.
Me moton “Për kokërr të qejfit”, edicioni i sivjetmë e shënon dhjetëvjetorin e festivalit, që do të jetë i hapur nga 6 deri më 8 shtator.
I pranishëm në ceremoni, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, theksoi se fermerët dhe vreshtarët e Rahovecit deri më tani kanë përfituar mbi 21 milionë euro nëpërmjet programit të subvencioneve dhe granteve.
“Kjo është shtrirja e dorës së qeverisjes për kategorinë e atyre që njihen si kategoria që punojnë me djersën e ballit e Rahoveci është sinonim i saj”, ka thënë ministri Peci.
Ai bëri të ditur se 8 milionë litra verë, që prodhohen çdo vit, eksportohen në Evropë e Amerikë.
E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, theksoi se festivali është kthyer në një vlerë trashëgimie për këtë komunë.
“Festa e vjeljes së rrushit është një festë e bujqve dhe vreshtarëve tanë fisnikë, për të ndarë me ne të mirat e tokës sonë, bereqetin dhe mundin e gjithë vitit me krenari të pamasë. Ata e mbledhin dhe e kultivojnë atë që tash njihet përtej kufijve kombëtarë, verën dhe rakinë e Rahovecit”, u shpreh Latifi.
Gjatë tri ditëve të edicionit të sivjetmë të festivalit, vizitorët do ta kenë mundësinë që të marrin pjesë në panairin e rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë, ndërsa në mesin e aktiviteteve kryesore përfshihet gara tradicionale e shkeljes së rrushit.
Raporti: Ardona Popova