Arbëri

Nis deportimi i emigrantëve shqiptarë nga Britania e Madhe

Britania e Madhe ka kohë që ka ngritur si problem numrin e madh të emigrantëve shqiptarë. Më 19 janar pritet të deportohet grupi i dytë i emigrantëve shqiptarë nga Britania, dhe kështu do të vazhdojë edhe në javët e muajt në vazhdim

Dyzet shqiptarët e parë janë deportuar nga Britania e Madhe, rreth një muaj pas marrëveshjes mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj britanike, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar.

Të enjten, rreth orës 11:30 përmes Aeroportit të Rinasit janë kthyer 40 emigrantë të paligjshëm, që në Britani të Madhe qëndronin pa dokumentacion.

Të deportuarit janë shprehur me shumë indinjatë ndaj shtetit britanik, duke thënë se atje kishin punuar me shumë nder. Por në mesin e të deportuarve kishte edhe nga ata persona që ishin të dënuar për vepra penale në Mbretërinë e Bashkuar dhe për këtë arsye janë deportuar në Shqipëri.

Britania e Madhe ka kohë që ka ngritur si problem numrin e madh të emigrantëve shqiptarë.

Më 19 janar pritet të deportohet grupi i dytë i emigrantëve shqiptarë nga Britania dhe kështu do të vazhdojë edhe në javët e muajt në vazhdim.

Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, më herët nxiti reagime në Shqipëri me deklaratën e saj përpara ligjvënësve britanikë se shqiptarët që shkuan në këtë vend nga Franca me gomone janë kriminelë. Janë gjithsej 40 mijë persona që kanë shkuar në Britani me gomone nga 11 nacionalitete, por i veçoi për të keq vetëm shqiptarët.

Në deklaratat e saj, Suella Braverman tha se shqiptarët gënjyen për arsyen e largimit nga vendi i tyre.

Si kundërpërgjigje, shqiptarët protestuan më 12 nëntor në qendër të Londrës kundër sekretares Braverman. Ndaj kësaj deklarate reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai i konsideroi deklaratat e saj si “britmë në çmendinë”, duke shtuar se ishte përgjegjësi e Britanisë që të bashkëpunonte për të menaxhuar situatën me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që shkojnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.

Më 14 dhjetor të vitit kaluar, kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, përmes një komunikate të përbashkët ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në tri fusha me interes të përbashkët, ku njëra prej tyre kishte të bënte me çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme (me vëmendje të posaçme te lufta kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm). Sipas marrëveshjes, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të shtojnë numrin e personave të kthyer në Shqipëri, përfshirë ata mbi moshën 18-vjeçare, që janë identifikuar nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar si viktima të skllavërisë moderne (sipas përcaktimit në legjislacionin e Mbretërisë së Bashkuar(MB-së) dhe si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore (sipas përcaktimit në legjislacionin e Shqipërisë). Në marrëveshje thuhet se kthimet do të bëhen në frymën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj), duke respektuar të drejtat, sigurinë dhe dinjitetin e individit, si dhe statusin e çdo procedure ligjore që lidhet me faktin që personi është viktimë, dhe preferohet që kthimet të jenë vullnetare.

Vitin e kaluar Britania shënoi rekord të emigrantëve që u futën në këtë vend, duke udhëtuar nga Franca me gomone – 45.728. Në vitin 2021 u regjistruan 28.526 emigrantë që zgjodhën këtë rrugë për të shkuar në Britani.

Muajin e kaluar kryeministri britanik Rishi Sunak u zotua të ashpërsojë ligjet e emigracionit.

“Nëse vini në vendin tonë ilegalisht, nuk do të keni të drejtë të qëndroni dhe do të largoheni”, ka premtuar Sunak.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, tha se në Mbretërinë e Bashkuar janë rreth 150 mijë shqiptarë dhe shumica jetojnë në mënyrë të ligjshme.

Leg: Dyzet shqiptarët e parë janë deportuar nga Britania e Madhe, rreth një muaj pas marrëveshjes mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj britanike, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar