Arbëri

Nikolla kërkon mbështetjen e KiE-së për korrigjimin e “gabimit” të raportit Marty

Lindita Nikolla

Me anë të letrës adresuar edhe anëtarëve të parlamenteve, si edhe delegacioneve përkatëse në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Nikolla ka bërë thirrje për korrigjimin dhe anulimin e rezolutës së miratuar bazuar në raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty, në të cilin pretendohet se udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë bërë trafikimin e organeve njerëzore në Shqipëri dhe në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka kërkuar të hënën mbështetjen e kryeparlamentarëve në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për korrigjimin “e gabimit” të bërë ndaj Shqipërisë e Kosovës me anë të rezolutës së Asamblesë Parlamentare mbi “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafikim ilegal të organeve njerëzore në Kosovë”.

Me anë të një letre adresuar edhe anëtarëve të parlamenteve, si edhe delegacioneve përkatëse në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, Nikolla ka bërë thirrje për korrigjimin dhe anulimin e rezolutës së miratuar bazuar në raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty, në të cilin pretendohet se udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë bërë trafikimin e organeve njerëzore në Shqipëri dhe në Kosovë. Këto pretendime janë bërë shkak për themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, ku aktualisht mbahen në paraburgim ish-presidenti Hashim Thaçi, kryekuvendarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-politikani Rexhep Selimi.

“Rezoluta 1782 (2011) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ‘për hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë’ bazohej në raportin e datës 7 janar 2011 të z. Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ky raport u hartua në vijim të procedurës që nisi me mocionin për rezolutë të datës 15 prill 2008, me autor ish-anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Konstantin Kosachev, nga Federata Ruse, Partia ‘United Russia’ e Vladimir Putinit dhe Grupi Evropian Demokrat”, ka shkruar Nikolla në letrën e saj.

Kryeparlamentarja e Shqipërisë ka kujtuar se pretendimet në raportin e Martyt ishin hetuar më parë nga Tribunali i Hagës, nën udhëheqjen e kryeprokurores Carla del Ponte dhe se asokohe nuk ishin gjetur prova mbështetëse. Nikolla ka cekur në letër që megjithëse kanë kaluar mbi një dekadë, asnjë nga dyshimet dhe akuzat në raport nuk janë dëshmuar.

“Në akuzën e Prokurorisë Speciale paraqitur në vitin 2020 para Gjykatës Speciale në Hagë kundër liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ngrihet asnjë akuzë për trafikimin e organeve njerëzore. Në këto kushte, në respekt të së drejtës dhe së vërtetës, më 21 korrik 2022 Kuvendi i Shqipërisë miratoi unanimisht Rezolutën ‘Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’.... Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të hartojë një raport vijues mbi Rezolutën 1782 (2011), në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade dhe fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara nga ku rezulton se pretendimet për trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri janë të pavërteta, të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara dhe duhet të njihen si të tilla nga të gjitha organizatat ndërkombëtare”, theksohet në letrën e Nikollës.

Letra është adresuar pak ditë pasi që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një fjalim në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, me ç’rast e ka kualifikuar raportin e Martyt një “lajm të rremë që arriti të shndërrohet në rezolutë” dhe e ka kërkuar rrëzimin e akuzave të ngritura ndaj UÇK-së.