Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas së tij të martën në Pejë, është ngritur aktakuzë edhe para tre vjetësh për veprën penale “dhunë në familje”.
Në një lidhje direkte për “60 Minuta” të KTV-së, Nikçi ka thënë se vrasja e së martës ka ndodhur rreth orës 08:15 në një banesë në qendër të qytetit.
“Vrasja ka ndodhur në qendër të qytetit të Pejës, në një banesë, rreth orës 08:15, ku menjëherë është njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria. Personi i dyshuar është paraqitur në stacionin policor dhe të njëjtit i është sekuestruar arma dhe është ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit për 48 orë fillimisht, ndërsa në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është larguar nga aty për t’u dërguar për obduksion në IML. Në vitin 2021 Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj këtij të pandehuri për veprën penale ‘dhunë në familje’”, ka thënë Nikçi.
Ai është deklaruar edhe për rastin e sportistit Akil Gjakova, i cili dyshohet se ka kryer dhunë fizike ndaj gruas së tij, duke i bërë thirrje Gjakovës që të dorëzohet sa më shpejt në polici.
Nikçi ka thënë se Gjakova është kontaktuar nga organet kompetente, por ka thënë se do të paraqitet këtë të hënë në polici, mirëpo një gjë e tillë, sipas Nikçit, nuk ka ndodhur.
“Akilit i bëjmë apel që të dorëzohet në stacionin më të afërt policor, pasi që është kërkuar edhe ndihma e qytetarëve për të informuar lidhur me vendndodhjen e tij e më pas të arrestohet nga Policia e Kosovës. Policia qysh para disa ditësh ka marrë autorizimin për ta arrestuar pasi që janë dërguar disa ftesa në shtëpinë e tij, i njëjti nuk ka qenë i qasshëm. Na është thënë që do të paraqitet të hënën pasi që gjendet jashtë vendit, mirëpo kjo nuk ka ndodhur, prokurori i shtetit në bazë të kompetencave e ka urdhëruar që Policia ta kërkojë publikisht ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij për veprat që i vihen në barrë. Viktima gjendet në strehimore dhe ka marrë tretmanin e duhur, i është caktuar një psikolog”, ka thënë ai.