Arbëri

Dakaj: Qeveria s'guxon të bëjë këso pabarazie, sektori privat duhet të mbështetet më shumë

Shkëlzen Dakaj

Gazetari i “Infokus” Shkëlzen Dakaj ka thënë se rritja e paralajmërua e pagave për sektorin publik rrezikon të “shkaktojë pabarazi qytetare”. 

Qeveria ka njoftuar se nga 1 janari pagat në sektorin publik do të rriten për 55 euro, ndërsa pas gjashtë muajve rritja do të shkojë në 110 euro. 

“Nuk guxon me i rrit pagat te sektori publik e me bë aq pabarazi qytetare, kur nuk e ke fuqinë e rritjes ekonomike. Nëse ti i ke realizuar vetëm 20 për qind të investimeve kapitale, e ke grumbulluar krejt buxhetin dhe nuk i ke dhënë infuzion ekonomisë, atëherë të ka rënë fuqia blerëse. Nëse e ke në këtë gjendje ekonominë, nuk guxon me shku me aso rritje pasi krijon disbalancë në treg. Ne themi se duhet të rriten pagat në sektorin publik, por në asnjë vend tjetër të zhvilluar nuk i ke pagat në sektorin publik shumë më të larta se sektorin privat”, ka thënë Dakaj, në “Konfront” të KTV-së. 
 


Gjinovci: Shoh një aleancë të kryeministrit me njerëzit më të varfër të vendit

Panelisti Rron Gjinovci ka thënë se e sheh një “aleancë mes kryeministrit dhe njerëzve më të varfër të vendit”. 

Gjinovci në “Konfront” të KTV-së ka thënë se gjatë kësaj qeverisje ka vërejtur “kujdesin e kryeministrit dhe ministrit të Financave për t’i rritur shtesat, pensionet për rastet sociale”, duke synuar të varfrit. 

“Efekti i vendimeve të kësaj qeverie është kështu, siç e shoh unë. Është aleancë e Qeverisë së Kosovës, kryeministrit me njerëzit më të varfër të vendit, që edhe nuk janë pak. Çfarë kam vërejtur unë krejt këto vite qeverisje dhe po e vërej edhe tash, është kujdesi i kryeministrit dhe ministrit të Financave me i rritur shtesat, pensionet e rasteve sociale etj. Se di a është krejt ideologjike a është njëfarë taktike. Sipas gjitha gjasave ka konsiderua se shtresën e mesme ende e ka në inercion me bindjen nga ta. Shtresën e varfër, ku preken edhe kategoritë e luftës, këtu kanë menduar se duhet me i synuar”, ka thënë Gjinovci. 


Nikaj: Qeveria nuk i ka paratë që t’i ruajë, por që t’i futë në ekonomi e ta zhvillojë atë

Bernard Nikaj, sekretar për marrëdhënie ndërkombëtare në PDK, ka thënë se rrogat duhet të rriten dhe se Qeveria duhet t’i shpenzojë paratë që i ka.

Ai ka shtuar se mosshpenzimi i buxhetit të ndarë ndikon në ngadalësimin ekonomik, prandaj edhe shpenzimi i tij do ta zhvillojë ekonominë.

“Rrogat kanë nevojë për rritje substanciale. Nëse kemi 3.6 miliardë euro buxhet dhe e menaxhojmë si duhet – keni parasysh Qeveria në katër vjetët e fundit ka ardhur në Kuvend në fillim të vitit me 3.6 miliardë, 3 miliardë, 2.8, dhe në fund e ka shpenzuar më pak se gjysmën e këtij buxheti. Mosshpenzimi i buxhetit reflekton në ngadalësim ekonomik. Ne kemi nevojë të rrisim aktivitetin ekonomik në vend, sepse Qeveria nuk i ka paratë që t’i ruajë, i ka për t’i harxhuar në ekonomi. Kur t’i shpenzojmë këto, Qeveria mundet. Rritja e aktivitetit ekonomik e mundëson edhe sektorin privat që t’i rrisë rrogat. Ne kemi mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Mungesa e saj kur ka aktivitet ekonomik dhe nevojë për atë fuqi punëtore, e rrit pagën”, ka thënë ai.


Pantina: Çdo vendim pas shpalljes së zgjedhjeve e me implikime financiare, për efekte elektorale

Shqipe Pantina, opinioniste, ka thënë se çdo vendim që merret pas shpalljes së zgjedhjeve e që ka implikime financiare, është vendim elektoral.

Pantina në emisionin “Konfront” ka thënë se kjo ka ndodhur edhe në kaluarën, ndërsa ka përmendur specifikisht në kohën kur kryeministër ishte Hashim Thaçi. Ajo ka thënë se për efekte elektorale “i rriste pagat ose i privilegjonte sektorët” edhe Thaçi.

“Çdo vendim që merret pas datës së shpalljes së zgjedhjeve dhe që ka implikime financiare, që prek xhepin e një kategorie të qytetarëve, është veprim për efekte elektorale”.

Pantina ka shtuar se pagat nuk janë rritur.

“Tani nuk ka rritje të pagave, përkundrazi nëse do zbatohej ligji i miratuar më 2019, vlera e koeficientit ka qenë 239 euro, por koeficienti ka qenë një nga dhjetë. Qeveria aktuale e ka bë dy nga njëzet dhe vlera aktuale e koeficientit ka qenë 210 euro. Po të qëndronte në fuqi ligji i mëhershëm dhe të krahasohej me ligjin tani vlera do ishte 119.5 euro. Pra nuk janë rritë pagat askujt në sektorin publik në raport me ligjin e vjetër që Kushtetuesja e hodhi poshtë”, ka përfunduar ajo.