Arbëri

Një vit pasi u denoncua për ngacmim seksual, ngrihet aktakuzë ndaj profesorit Xhevat Krasniqi

Prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë kundër profesorit të UP-së, Xhevat Krasniqi, të cilin një vit më parë 27 studente e kanë denoncuar për ngacmim seksual. Raportimi i KOHËS për këtë rast në mars të 2024-tës pati aktivizuar Këshillin e Etikës

Një vit pas nisjes së hetimeve kundër profesorit universitar, Xhevat Krasniqi, i cili është denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual, Prokuroria Themelore në Prishtinë të premten ka ngritur aktakuzë.

Në mars të 2024-tës, KOHA ka raportuar për ankesën e studenteve të Fakultetit të Mjekësisë dhe për zvarritjen e rastit në Këshillin e Etikës, ku profesori është denoncuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka cilësuar rastin “Ngacmim seksual”.

“Konfirmojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit XH. K., për shkak të veprës penale ‘Ngacmim seksual’, bazuar nga neni 183 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të KPRK-së”, është bërë e ditur në njoftimin e Prokurorisë.

Pas ngritjes së aktakuzës, Krasniqi nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike të KOHËS dhe as pyetjeve të shkruara përkitazi me këtë rast.

E në denoncimin e tyre, studentet patën thënë se gjatë vitit 2023 profesori Krasniqi u është drejtuar me sjellje joprofesionale dhe me komente për pamjet e tyre fizike.

Dy muaj pas denoncimit, Krasniqi është pezulluar nga pozita e profesorit në Universitetin e Prishtinës (UP). 

Këtë vendim e pati marrë Rektorati i UP-së, pas rekomandimit të Këshillit të Etikës, që Krasniqi të pezullohet nga puna deri në përfundimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë.

Në vendimin e Këshillit janë paraqitur versionet e të dyja palëve, studenteve parashtruese të ankesës, si dhe të profesorit. 

Në deklaratë, Krasniqi ka thënë se fjalët e paraqitura nga studentët janë shtrembëruar.

Kundër profesorit Krasniqi, dhjetëra studentë kanë protestuar, me kërkesën që ai të përjashtohej nga UP-ja, por Rektorati ka shpërfillur kërkesat.