Disa nga kandidatët që i janë nënshtruar provimit të jurisprudencës kanë ngritur dyshimin për parregullsi në pyetjet e shtruara nga lënda e së Drejtës Penale. Ata pretendojnë se patën pyetje nga Kodi Penal i 2012-s, e jo nga ai që është në fuqi nga viti 2019. Derisa në Ministrinë e Drejtësisë thanë se e kanë kërkuar trajtimin e ankesave nga Komisioni përkatës, në Komision pretenduan se provimi ka përfunduar me sukses
Disa nga kandidatët që gjashtë ditë më parë i janë nënshtruar provimit të jurisprudencës, kanë ngritur dyshime për parregullsi në këtë proces, ndërlidhur me pyetjet që u janë shtruar në lëmin e së Drejtës Penale.
Njëri prej tyre, që foli për KOHËN nën kushtin e anonimitetit, tha se në test pati pyetje në kuadër të Kodit Penal të 2012-s, ani se ai është ndryshuar më 2019.
“Më datë 17 nëntor, në pjesën e lëndës e Drejta penale, kishte parregullsi. Fillimisht, detyra ishte dhënë që të zgjidhet në bazë të Kodit Penal Nr. 04/L-082. Mirëpo ky kod nuk është në fuqi, sepse është i vitit 2012 ndërsa tani në fuqi është Kodi Penal i vitit 2019 me Nr. 07/L-074. Kësisoj, atë ditë pas shpërndarjes së detyrës, kandidatët e kuptuan se detyra nuk ishte në rregull dhe çështjen e adresuan te stafi i cili e menaxhonte procesin. Fillimisht komisionit, por edhe stafit menaxhues të testimit nuk u interesoi kjo çështje. Pastaj, kur kandidatët filluan të abstenojnë, kryetarja e komisionit për pjesën penale pas 15 minutave udhëzoi që detyra të zgjidhet me Kodin e Ri Penal”, ka thënë kandidati.
Përveç pakënaqësive për pyetjet e hartuara, ai ka thënë se gjatë kohës së testimit u lejua edhe kopjimi.
“Gjatë këtyre 15 minutave sa kishte ankesa nga kandidatët, kishte edhe komunikime dhe bashkëpunime mes kandidatëve të cilët tashmë e kishin para tyre detyrën. Kjo ishte jashtë rregullave të caktuara për testim dhe komplet procesi i asaj dite u komprometua”, ka thënë kandidati.
Lidhur me pretendimet e kandidatëve për këto parregullsi, në Ministrinë e Drejtësisë kanë thënë se kanë pranuar ankesa dhe se e kanë kërkuar trajtimin e çështjes nga Komisioni përkatës.
“Ministria e Drejtësisë ka pranuar disa ankesa të kandidatëve për çështjen në fjalë dhe më të pranuar ankesat e tilla, Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, më 21 nëntor ka ftuar në takim kryetarin e Komisionit z. Fejzullah Rexhepi, si dhe anëtaren e Komisionit, pyetëse të lëndës e Drejta Penale znj. Sebahate Hoxha, njëherësh prokurore pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në takim, ministrja Haxhiu ka trajtuar çështjen shqetësuese me Kryetarin e Komisionit Rexhepi, njëherësh kryetar i Gjykatës Supreme dhe në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë organizmin dhe mbarëvajtjen e Provimit të Jurisprudencës, do të veprohet tutje në kuptim të adresimit”, është thënë në përgjigje të Ministrisë së Drejtësisë.
Por kryetari i Komisionit, Fejzullah Rexhepi, i hedh poshtë pretendimet për parregullsi.
“Në qoftë se dikush e konsideron parregullsi, atëherë është problemi i tij, por nuk ka pasur parregullsi. Ka qenë një keqkuptim që kandidatët nuk i kanë marrë ligjet e vjetra, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës, përndryshe diçka tjetër nuk ka pasur. Ne i kemi mirëkuptuar kandidatët dhe ua kemi mundësuar ta përfundojnë detyrën edhe me ligj të ri dhe pa pasoja në vlerësim”, ka thënë kryetari i Gjykatës Supreme.
Provimi i Jurisprudencës është mbajtur në dy pjesë më 16 dhe më 17 nëntor, në lëndën e Drejta civile dhe në atë e Drejta penale.