Profesionistët e shëndetit kanë ngritur shqetësimin lidhur me përdorimin e ngjyruesve artificialë nëpër ushqime, veçmas në ato që konsumohen shpesh nga fëmijët, si ëmbëlsirat, pijet e gazuara dhe akulloret. Ekspertët kanë alarmuar se këta ngjyrues, ndonëse janë të lejuar nga autoritetet shëndetësore, mund të shkaktojnë ndikim negativ në sjelljen dhe përqendrimin e fëmijëve
Koncentratet që u japin ngjyra më të ndezura ëmbëlsirave, pijeve apo ushqimeve të përpunuara shpesh i bëjnë këto ushqime të jenë më tërheqëse për fëmijët, porse ekspertët kanë alarmuar se prapa pamjes fshihet një rrezik i mundshëm për shëndetin.
Psikologu klinik, Ilir Havolli thotë se përdorimi i produkteve shtesë për ngjyrim të ushqimeve mund të ndikojë negativisht në disa aspekte mendore te fëmijët, të cilët edhe janë konsumuesit më të shpeshtë të tyre.
“Përdorimi i ngjyruesve në ushqime është bërë një fenomen apo një çështje për diskutim në aspektin e sjellës, për shkak se është identifikuar ndikimi i tij në lëvizshmërinë e fëmijëve, përkatësisht në ADHD, pastaj ndikimi i tij në humor, në sjellje, pastaj ndikimi tij në aspektet kognitive e sidomos në intolerancën ushqimore”, ka paralajmëruar Havolli.
Ai thotë se nga ndikimi negativ i këtyre koncentrateve më të rrezikuarit janë fëmijët e moshave më të hershme.
“Më të rrezikuar janë grupmoshat 2 deri në 7 vjeç, po ashtu të rrezikuar janë edhe individët me ndjeshmëri ushqimore dhe intolerancë ushqimore, pastaj personat që kanë predispozita gjenetike për çrregullime mendore etj.”, ka theksuar ai.
Në Kosovë, përdorimi i aditivëve në ushqim rregullohet me Rregulloren për Aditivët Ushqimorë, i cili është në fuqi që nga viti 2013.
Në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinë (AUV) thonë se ngjyruesit e lejuar janë të bazuar në vlerësimet e Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore. Sipas tyre, shtimi i ngjyrës në ushqim lejohet vetëm kur kjo i shërben rikthimit të pamjes natyrale apo për të rritur joshjen vizuale.
Në AUV kanë thënë po ashtu se, bazuar në kontrollet zyrtare, nuk janë gjetur produkte që i tejkalojnë kufijtë e lejuar të përdorimit të aditivëve, në mesin e të cilëve përfshihen edhe koncentratet për ngjyrim të ushqimeve.
“Nenit 15 të rregullores se lartcekur, përdorimi i aditivëve në ushqimin për foshnjat dhe fëmijët e vegjël është i ndaluar, përveç rasteve kur është specifikisht i lejuar sipas Shtojcës II... Në kontrollet sipas Planit Nacional të Kontrolleve Zyrtare dhe mostrimit, deri më tani nuk janë hasur produkte të cilat kanë tejkaluar nivelet e lejuara të këtyre substancave”, kanë thënë në AUV.
E në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK) kanë thënë se kontrolli i aditivëve është përgjegjësi e AUV-it, porse kanë shtuar që disa ngjyrues janë të lidhur me hiperaktivitet dhe me reaksione alergjike.
“Shumica e ngjyruesve janë të aprovuar nga autoritete si EFSA (Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore) dhe FDA (Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave), megjithatë, disa ngjyrues artificialë janë lidhur me reaksione alergjike ose hiperaktivitet te fëmijët”, kanë thënë në IKSHPK.
Produktet më të pasura me ngjyrues janë ato që janë të destinuara për fëmijë, përfshirë ëmbëlsirat, pijet e gazuara, akulloret dhe drithërat me ngjyra të forta.
Tartrazine (E102), Sunset Yellow (E110) dhe Allura Red (E129) janë ndër ngjyrat më të zakonshme dhe gjithashtu më të diskutuarat për ndikimet e mundshme negative në shëndet.
Këta ngjyrues lejohen për përdorim në produkte të caktuara, si pije të aromatizuara, desertë të ngrirë apo ëmbëlsira, gjithmonë brenda sasive të caktuara. Por janë të ndaluar në ushqime si qumështi i paaromatizuar, çaji, kafeja apo uji i paketuar.
Edhe pse të lejuara me kufizime, profesionistët e shëndetit publik dhe psikologët kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për konsum të rregullt nga fëmijët.