Arbëri

Nga strukturat paralele në Regjistrin e Kosovës – Serbëve u mundësohet regjistrimi i gjendjes civile

mpb

Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar vendimin që u mundëson qytetarëve që kanë regjistruar faktet e gjendjes së tyre civile - lindjen, martesën dhe/apo vdekjen - në strukturat ilegale e paralele serbe gjatë periudhës nga 10 qershori 1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të aplikojnë për regjistrimin e këtyre fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.

Ministria e ka quajtur këtë hap të rëndësishëm. 

“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të ligjshmërisë për formalizimin e statusit civil të qytetarëve në përputhje me kornizën ligjore të Republikës së Kosovës”, ka thënë përmes komunikatës.

Më tej, MPB ka njoftuar se procesi i regjistrimit do të kryhet nga Agjencia për Regjistrimin Civil dhe do të jetë i hapur nga data 1 shkurt 2025 deri më 30 prill 2025. 

“Për të aplikuar, qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës në bazë të llojit të faktit që synojnë të regjistrojnë. Në periudhën e ndërmjetme, nga dhjetori i këtij viti deri më 1 shkurt 2025, do të zhvillohen dhe sesione të ndryshme informuese për të gjithë qytetarët, për t'i ndihmuar dhe asistuar në këtë proces”, thuhet tutje.