Arbëri

Bllokohen llogaritë e “Pastrimit”, bërlloku në Prishtinë nuk mblidhet nga e mërkura

Nga nesër mbeturinat në Komunën e Prishtinës dhe disa komuna të tjera nuk do të grumbullohen. Kompania regjionale “Pastrimi” ka njoftuar se i janë bllokuar llogaritë bankare nga Kompania për Menaxhim të Mbeturinave në Kosovë dhe për këtë të mërkurën nuk do të ketë grumbullim të mbeturinave.

I kontaktuar nga Koha, Avdullah Haxhiu drejtor në Kompaninë për Menaxhim të Mbeturinave ka thënë se “Pastrimi” nuk i është përmbajtur marrëveshjes për riprogramimit të borxhit dhe nuk ka paguar as faturat e rregullta tash e 1 vjet.

“Nga janari i vitit të kaluar nuk kanë paguar fatura të rregullta derisa kanë edhe 337 mijë euro të pashlyera nga riprogramimi i borxhit që në total ka qenë rreth 700 mijë euro. E kemi paralajmëruar kompaninë disa herë dhe kemi qenë të detyruar që të veprojmë në këtë mënyrë” ka thënë Haxhiu.

Megjithatë ai ka thënë se nuk i ka mbyllur dyert e deponisë dhe se kërcënimet e “Pastrimit” për mos pastrim të qytetit janë pa vend.

“Më vjen keq që ata përdorin shantazhe të tilla për kaos në sektorin e mbeturinave. Ne nuk mund të rrezikojmë kompaninë tonë”, ka shtuar Haxhiu derisa ka njoftuar se për këtë problem i është drejtuar me shkrim edhe kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Rama. Ky i fundit ka thënë se do i ftojnë në takim por nuk kanë lëvizur në këtë drejtim që nga muaji dhjetor.