Arbëri

Nga Hani i Elezit, Hamza premton heqjen e sanksioneve të BE-së

Bedri Hamza

Nga Komuna e Hanit të Elezit, ku mbajti tubim elektoral, Bedri Hamza u zotua se qeveria e tij do t’i heqë sanksionet e BE-së dhe fondet e saj do t’i harxhojë për projekte të këtij qyteti. I nominuari i PDK-së për kryeministër premtoi se në këtë komunë do të ndërtojë shkollë, çerdhe e QKMF moderne. Gjatë ditës Hamza premtoi se pagat nën 400 euro nuk do të tatohen e pensioni bazik do të rritet për 70 për qind

Zotimet kryesore për një Kosovë më të mirë, Bedri Hamza i dha të martën nëpërmjet një videomesazhi.

I nominuari i PDK-së për kryeministër përsëriti se në sektorin publik, me qeverinë e tij, pagat do të rriten për 50 për qind. 

E rrogat nën 400 euro premtoi se nuk do të tatohen.

“Rritje të pagave e të pensioneve, 50 për qind rritje të pagave për sektorin publik, pagat nën 400 euro nuk do të tatohen, 70 për qind rritje të pensionit bazik. Rriten pensionet kontributdhënëse dhe përshkallëzohen sipas përvojës së punës”, tha Hamza. 

Pos kësaj, rritjen për 50 për qind kandidati i PDK-së e premtoi edhe për pensionet e kategorive të dala nga lufta.

“50 për qind rritje të përfitimeve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve, ka ardhur koha të punojmë bashkë për ta bërë Kosovën më të mirë”, tha ai. 

Ndërkaq prej një tubimi elektoral në Han të Elezit dha zotime të tjera.

Tha se qeveria e PDK-së do t’i heqë sanksionet e vëna nga BE-ja e me fondet e saj do të rregullohet shtrati i lumit Lepenc që rrjedh në këtë qytet.

“Do ta financojmë, se do t’i heqim sanksionet, edhe rregullimin e shtratit Lepenc”, tha Hamza. 

Banorëve të kësaj komune Hamza u premtoi QKMF moderne, shkollë e çerdhe të re.