Arbëri

Nga Beogradi, Rama i bën të gjitha shtetet e rajonit njësoj përgjegjëse për luftërat

Në hapje të Panairit të Verërave në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, organizuar në Beograd, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i bën të gjitha shtetet e rajonit njësoj përgjegjëse për luftërat e deritashme në Ballkan. Ai bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, janë treguar kritikë për vendet që nuk janë përfshirë në nismë. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka kritikuar Ramën për pjesëmarrjen në këtë aktivitet

Nën aromën dhe avullin e verërave të ekspozuara në një panair të organizuar të enjten në Beograd, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë të gjitha shtetet e rajonit njësoj përgjegjëse për luftërat e deritashme.

Panairi përbën aktivitetin e parë ekonomik të organizuar në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, nismë e cila është iniciuar në Serbi dhe së cilës i janë bashkuar Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në ceremoninë hapëse të këtij aktiviteti kryeministri Rama ka folur edhe për luftën.

“Zgjedhja jonë është shumë e thjeshtë: si të qëndrojmë këtu në këtë vend, duke qenë të gjithë së bashku në të njëjtën lagje të Evropës. Duke u përpjekur ta bëjmë këtë lagje më të gëzueshme, më të jetueshme, më paqësore për të gjithë njerëzit tanë, apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njëri-tjetrit dhe duke ia vënë flakën njëri-tjetrit, siç kemi bërë me shumë e shumë e shumë vjet dhe shekuj”, ka thënë Rama. “Dhe besoj që edhe këtu në këtë panair, besoj pa ekzagjeruar, të nivelit të lartë evropian, është e qartë që më mirë kështu së bashku, duke afruar njerëzit, duke u afruar me njerëzit, duke parë se sa shumë gjëra të përbashkëta kemi si njerëz, sesa ashtu siç kemi qëndruar më parë me kurriz nga njëri-tjetri, pa e njohur njëri-tjetrin, dhe me shumë konflikte e luftëra në mes”.

Kosova ka refuzuar të përfshihet në këtë nismë e pjesë e saj zyrtarisht nuk janë as Bosnjë-Hercegovina dhe as Mali i Zi. Kryeministri Rama vazhdimisht është treguar kritik në raport me lidershipin e Kosovës për qëndrimin që mban kundër “Ballkanit të Hapur”.

Ndër kundërshtuesit më të mëdhenj është kryeministri Albin Kurti. Ai ka theksuar se Kosova nuk mund të jetë pjesë e nismës, edhe për shkakun se Serbia nuk është ajo që sheh kah Perëndimi.

“Ballkani Perëndimor, ende i paintegruar në BE, përbëhet nga 6 shtete. Këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e Federatës Ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur ‘Ballkan të Hapur’ është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, ka thënë Kurti.

Edhe opozita në Kosovë është kundër.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka “thumbuar” Ramën për pjesëmarrjen në panairin e verërave në Beograd.

“Kosova ka qenë dhe është shumë hapa para Serbisë në prodhim të verërave. Mbajtja e Panairit të Verërave në Beograd dhe promovimi i tij në rajon godet direkt biznesin e verarisë në Kosovë. Përderisa i bëhet kaq promovim panairit në Beograd, panairi në Kosovë dënohet me mungesë rryme, duke pamundësuar funksionimin normal”, ka shkruar Haradinaj të enjten në Facebook. “Rahoveci është kryeqyteti i verërave në rajon e që nesër si dhe çdo vit është nikoqir i ‘Hardh Fest’. Përkrahja e vreshtarëve tanë promovon punën e tyre dhe Kosovën në gjithë botën”.

Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë – vend në të cilin është lansuar nisma “Ballkani i Hapur” – ka kritikuar vendet që refuzojnë përfshirjen.

Video:

 

“Zgjedhja jonë është shumë e thjeshtë: si të qëndrojmë këtu në këtë vend, duke qenë të gjithë së bashku në të njëjtën lagje të Evropës” Më shumë ? https://www.koha.net/r341747

Posted by Koha.net on Thursday, September 1, 2022

“Gjithmonë ka pasur kritikë që kanë pasur diçka për të kritikuar dhe të tjerët që kanë dashur të gjejnë gjilpërën në kashtë. Për arsye të ndryshme politike shumë njerëzve nuk u pëlqen kjo ide”, ka thënë Vuçiq.

E kryeministri i Shqipërisë ka theksuar se “Ballkani i Hapur” është shumë më tepër sesa ekonomi, tregti e politikë.

“Ballkani i Hapur” është një projekt paqeje dhe është një projekt bashkëjetese në paqe. Është një projekt i bashkimit në paqe të një vizioni të përbashkët për të ardhmen në mënyrë që kjo lagje e vogël në mes të Evropës të mos vuajë më nga hijet e së shkuarës, por të bëhet gjithmonë e më shumë vend i së ardhmes për gjithë rininë tonë”, ka thënë ai.

Në Panairin e Verës të organizuar në Beograd, përpos kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitrar Kovaçevski, ka marrë pjesë edhe kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili ndryshe nga presidenti Milo Gjukanoviq, kishte shprehur gatishmërinë për ta përfshirë në “Ballkanin e Hapur” vendin që përfaqëson.

Video: