Arbëri

Nga 7 anëtarë sa do të duhej, vetëm 2 morën pjesë në finalizimin e listës së barnave me çmime abuzive

Me parregullsi të mëdha është shoqëruar procesi i unifikimit të çmimit të barnave në Kosovë. Lista e publikuar një muaj me parë është anuluar. Kjo, për shkak që një pjesë e çmimeve të barnave ka qenë shumëfish më e lartë se çmimi në treg. KOHA e ka siguruar vijueshmërinë e anëtarëve të komisionit. Nga rreth 2200 produkte që ka lista, për mbi 1800 kanë vendosur vetëm dy anëtarë të komisionit. Pesë të tjerë nuk kanë marrë fare pjesë

Procesin më të rëndësishëm në fushën e barnave, atë të caktimit të çmimit të barnave, Ministria e Shëndetësia ia ka besuar një komisioni që në përbërje ka shumicën e anëtarëve që as nuk kanë marrë pjesë kur janë vendosur çmimet e barnave.

Lista me çmime të unifikuara për barnat është publikuar në uebfaqen e Ministrisë së Shëndetësisë muajin e kaluar. 

Çmimet në emër të procesit të unifikimit pas këtij procesi, për shumë produkte ishin me të larta se në tregun privat. Pak kohë pas publikimit, kjo listë është anuluar.

KOHA e ka siguruar një dokument që dëshmon mbarëvajtjen e takimeve. 

Ligjërisht ky komision përbëhet nga 7 anëtarë. Në listat që ka KOHA, del që gjatë krejt procesit kanë punuar 12 anëtarë, por për shkak që MSH-ja nuk ka kthyer përgjigje ka qenë e pamundshme të konfirmohet nëse gjatë procesit janë bërë ndryshime në përbërje.

Nga 12 anëtarë sa ka pasur komisioni, 10 anëtarë kanë munguar në të paktën 6 takimet e fundit të komisionit.

Pra nga dokumenti dëshmohet se për çmimet e 1928 barnave kanë vendosur vetëm dy anëtarë komisioni.

Ky komision në një takim tjetër, me pjesëmarrjen e vetëm 3 anëtarëve, ka vendosur çmimet edhe për 166 produkte të tjera. 

E në dy takime të ndara ku morën pjesë 6 anëtarë u vendosën çmimet e 248 produkteve.

Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur tash e disa ditë për parregullsitë në këtë proces. Ky institucion nuk e ka komentuar as faktin se çmimet e pjesës dërmuese të barnave janë vendosur vetëm nga dy anëtarë.

Disa farmacistë në kushte anonimiteti i kanë treguar KOHËS se me listën e publikuar
në emër të nivelimit të çmimeve, çmimi i shumë barnave ishte rritur në mënyrë drastike. 

Si rast ilustrues e kanë marrë kremin Travazol që shërben për trajtimin e disa lloje të infeksioneve të lëkurës.

Para nivelimit të çmimeve, ky produkt ka kushtuar 3.80 euro. Pas procesit të nivelimit, çmimi i produktit ishte bërë 11 euro.

Një tjetër produkt që procesi i “nivelimit” ia kishte rritur çmimin, është një bar për trajtimin e diabetit “Glavus Met”. 

Nga çmimi 14 euro që aktualisht e ka, sipas farmacistëve, komisioni vendosi që ta bëjë 33 euro.
Ish-ministri i Shëndetësisë, tash deputet nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, e ka ngritur këtë çështje publikisht.

“Ne kemi nënkuptuar se është duke u punuar në interes të vendosjes së pragut i cili është i favorshëm për pacientin dhe qytetarin e vendit dhe pas daljes së vendimit, nënshkrimit nga ana e ministrit e publikimit të listës është pa që ky proces ka degraduar ose me mirë të themi është inkuadruar ajo çka ne e quajmë mafia farmaceutike dhe ka futur duart përmes komisionit ose njerëzve të caktuar”, ka thënë Zemaj.

Në korrikun e vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës ka kaluar Ligjin i cili do të rregullonte çmimin e barnave për blerjet publike, por edhe në tregun privat. 

Ligji parashihte që për katër muaj të krijohej lista me çmimet obliguese. 

Asokohe, kryeministri Albin Kurti e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaruan se me këtë ligj do të ulej çmimi i barnave në treg.