Arbëri

Nga 143 raste që Auditori i dërgoi në Prokurori, për vetëm 3 ka aktakuza

Vlora Spanca

Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se nga 143 raste që i kanë dërguar në Prokurori, e për statusin e të cilave kanë marr një përgjigje, në vetëm 3 janë ngritur aktakuza. 
Spanca të hënën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se prej këtyre lëndëve 83 janë ende në hetim dhe 50 janë mbyllur. 

"Në mars kemi pranuar një raport vetëm për 143 rate të cilat i kemi dërguar, statusin e 143 rasteve, dhe nga ai raport kemi vërejtur se janë ngritur vetëm 3 aktakuza, që është dekurajues për ne , kur po flasim për 143 raste që i kemi dërguar, raportin 143 me 3 është i vogël, në anën tjetër janë 83 raste të cilat janë nën hetime dhe janë më shumë se 50 janë mbyllur”, është shprehur Spanca.

Ajo ka thënë ka nevojë që të bashkëpunojnë me shumë me Prokurorinë në mënyrë që t’i shohin arsyet se pse janë mbyllur rastet, sepse sipas saj, për lëndët që i dërgojnë në prokurori ka bindje dhe argumente të mëdha se ka bazë për vepër penale. 

“Nga viti nga viti 2018 deri në vitin 2022 i kemi dërguar 324 lëndë në Prokurorinë e Shtetit dhe vitin e kaluar kemi lidhur edhe një marrëveshje bashkëpunimi dhe qëllimi kryesor ka qenë që të bashkëpunojmë të ndajmë informacione, që t’i kuptojnë më mirë edhe rastet të cilat i dërgojmë dhe ajo që ka qenë me rëndësi të marrim një informacion kthyes nga Prokurori i Shtetit për rastet të cilat i dërgojmë, do të thotë ku është statusi i rasteve të cilat i kemi dërguar”, ka thekuar Spanca.

Ajo në këtë intervistë ka folur edhe për dy raporte të auditimit të Teknologjisë së Informacionit, atë  “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit” të Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe raportin “Sistemi Informativ për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik (SIMSF)” të Ministrisë së Shëndetësisë, rezultatet e të cilave janë publikuar të hënën. 

Sipas auditorit dy marrëveshjet për këto sisteme, njëra e vitit 2013 dhe tjetra e vitit 2014, i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit mbi 11 milionë euro dëme.

Për projektin e Ministrisë Arsimit Spanca ka thënë se ka nisur pa planifikim të mirë. 

Sipas saj për dështimin e këtij projekti përgjegjësia i takon tërë nivelit hierarkik në Ministri.

“Përgjegjësia për projekte të tilla i takon nivelit më të lartë menaxherial të Ministrisë, nga ministri dhe zyrtari kryesor administrativ, sekretari i përgjithshëm në Ministri dhe zyrtarë përkatës, por që ka munguar llogaridhënia në komplet zinxhirin llogaridhënës nga lartë poshtë dhe nga poshtë lartë për çështje të raportimit, është komplet niveli hierarkik i Ministrisë i përfshirë”, ka theksuar Spanca.

Ndërsa për projektin e Ministrisë Shëndetësisë, ndër të tjera ka thënë se është shkelur edhe privatësia e pacientëve. 

“Problemet e tjera kanë të bëjnë me sigurinë e informacionit, Ministria e Shëndetësisë nuk i ka harmonizuar procedurat e operimit standard, me proceset aktuale të SIMSF-së, nuk ka as politika dhe procedura të teknologjisë së informacionit, për më shumë në aspektin e sigurisë së informacionit dhe privatësisë së informatave për pacientë, edhe zyrtarët e teknologjisë së informacionit edhe operatori ekonomik që e mirëmbajnë sistemin u është lejuar qasja e plotë në aplikacion, cenohet privatësia e pacientit, për shkak se kanë qasje në të dhënat lidhur me barnat që i ka marrë pacienti”, ka deklaruar Spanca.