Arbëri

Nga 1 prilli pritet shtrenjtimi i rrymës

Duke nisur nga 1 prilli, qytetarët pritet që faturat për energjinë elektrike të konsumuar t’i marrin me rritje. 

Burime të KOHËS në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kanë bërë të ditur se rritja e importit të rrymës përtej parashikimeve në fundvitin e shkuar do të ketë ndikim në rritjen e tarifave, porse kanë thënë që ende nuk dihet se sa do të jetë rritja.

Operatorë të energjisë, nëpërmjet aplikimeve drejtuar ZRRE-së, kanë kërkuar që t’u lejohet rritja e të hyrave maksimale. E në rast se kjo kërkesë do të marrë aprovim, atëherë do të përkthehet në rritje të tarifave.

Në aplikimin e bërë nga Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) për vitin 2025, është kërkuar që të aprovohen të hyra prej 448 milionë eurosh, që janë për rreth 50 milionë më shumë sesa që kanë qenë për vitin 2024. Rritje të të hyrave maksimale në 217 milionë euro, rreth 90 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak, ka kërkuar edhe Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS). 

Teksa kërkesa e Operatorit të Sistemit dhe Tregut (KOSTT) është bërë për rritje prej 24 milionë eurosh më shumë të të hyrave maksimale të lejuara. 

Në ZRRE kanë bërë të ditur se aplikimet janë në fazë të shqyrtimit dhe se me propozim për tarifa të reja do të dalin deri më 15 mars.

E Adhurim Haxhimusa, njohës i çështjeve të energjisë, ka numëruar dy faktorë që mund të kenë ndikim në rritjen e faturave të energjisë.

“E para është rritja e importit të energjisë elektrike që është si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike dhe mungesës së prodhimit shtesë në Kosovë. Faktikisht, rritja e konsumit nuk po përkrahet me rritje të prodhimit. Rritja e importit me çmime të larta të energjisë elektrike e bën edhe sistemin elektroenergjetik më të shtrenjtë”, ka theksuar Haxhimusa.

Rritjen e mundshme të tarifave të rrymës e kanë kritikuar përfaqësues të partive politike. Në LDK e akuzuan qeverinë aktuale për mosrritjen e kapaciteteve të prodhimit.

“Ata duhet ta dinë se edhe një rritje tjetër e faturave të energjisë do të jetë e papërballueshme për pjesën dërrmuese të qytetarëve - nuk munden qytetarët në vazhdimësi të paguajnë më shumë për shkak të keqmenaxhimit dhe paaftësisë së qeverisë”, ka thënë përfaqësuesja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

E ai i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar Qeverinë në detyrë për keqplanifikim.

“Nënvlerësimi i kostove në vitin e kaluar dhe shtyrja e tyre për t’u trajtuar më vonë ka krijuar një barrë financiare që tani duhet të paguhet nga konsumatorët fundorë. Kjo praktikë nuk është e drejtë dhe tregon për një menaxhim të dobët dhe të ndikuar, ku vendimet merren më shumë për arsye politike sesa në interes të konsumatorëve”, ka thënë ai.

Vitin e shkuar ZRRE-ja pati ulur për 3 për qind çmimin e tarifave të energjisë për konsumatorë komercialë dhe industrialë. Një vit më parë tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve dhe ato janë ende në fuqi.