Arbëri

Nga 1 korriku, pa roaming në Ballkanin Perëndimor

Nga 1 korriku qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë më tarifa shtesë për thirrje telefonike dhe mesazhe derisa qëndrojnë në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Bosnjë-Hercegovinë apo Serbi. ARKEP-i dhe operatorët e telefonisë mobile në Kosovë thonë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të zbatuar këtë marrëveshje

Nga 1 korriku kosovarët gjatë qëndrimit në ndonjërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të paguajnë më tarifat e roamingut në thirrje telefonike dhe mesazhe. Në këtë datë do të hyjë në fuqi marrëveshja për roaming ndërmjet Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë.

Kryesuesi i Bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rahimi, thotë se nuk ka pengesa për implementimin e marrëveshjes. “Një konsumator i një operatori mobil të Republikës së Kosovës do t'i ketë tarifat e njëjta sa i përket tarifës së zërimit dhe pranimit të sms-ve, si në Kosovë si në Shqipëri, nuk do të ketë hargjim shtesë për këtë çështje. Mirëpo përdorimi i internetit dhe të dhënave do të jetë çështje që sigurisht do të hyjë në renditje të tarifave që do të aplikohen nga operatorët, sikur këtu dhe atje”, sqaron Rahimi.

Telekomi i Kosovës thotë se është i gatshëm të zbatojë heqjen e roamingut.

Fadil Lepaja nga departamenti për Marrëdhënie me Publikun i Telekomit bën të ditur se do të përgatiten katër pakot për konsumatorët. “Qytetarët, përkatësisht konsumatorët e Telekomit të Kosovës, duhet të ndjekin një procedurë të thjeshtësuar në maksimum. Kështu ata që kanë numra me parapagim (Prepaid), do të qasen në pakot tona vetëm me një SMS, duke aktivizuar njërën nga dy pakot tona, ndërsa ata me kontratë (Postpaid) do të ketë nevojë të nënshkruajnë një aneks të kontratës bazë dhe po ashtu të përzgjedhin njërën nga dy pakot e ofertës sonë”, ka thënë Lepaja.

Operatori tjetër, IPKO, nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse është e gatshme të zbatojë marrëveshjen. Mirëpo, ARKEP-i thotë se të dy operatorët, përfshirë edhe IPKO-n, kanë bërë përgatitjen e nevojshme për zbatimin e ndryshimeve.

Bisedimet për një marrëveshje të tillë, sipas Rahimit, pritet të nisin edhe me vendet evropiane, në mënyrë që ballkanasit të mos paguajnë për roaming kur qëndrojnë në këto shtete. “Besoj që shumë shpejt do të ketë takime, ndoshta ministrale dhe të rregullatorëve në mënyrë që të fillohet kjo çështja e zgjidhjes dhe uljes së tarifave të roamingut në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”.

Eliminimi i roamingut për Ballkanin Perëndimor është faza e dytë e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2019, ku fillimisht çmimet janë ulur deri në 80 për qind. Aktualisht një minutë thirrje e realizuar me shërbimin roaming kushton 5 centë, kurse një mesazh 2 centë.