Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se takimi me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk ka prodhuar asnjë rezultat, andaj protesta e paralajmëruar për të mërkurën do të mbahet.
Në takim me ministren ka qenë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala, sekretari i përgjithshëm, Ymer Ymeri, dhe zyrtari ligjor Blendor Shatri.
Në njoftimin e kësaj sindikate thuhet se ky ishte një takim i shkurtër dhe se ka përfunduar pa ndonjë rezultat. SBAShK ka ripërsëritur se nesër do të mbahet protestë dhe siç thuhet në njoftim, Këshilli Drejtues do të vendosë edhe për veprimet tjera sindikale.
“Ishte ky takim i shkurtër dhe ka përfunduar pa as edhe një rezultat ngase Ministrja Nagavci nuk pati gatishmëri të bisedoj konkretisht për kërkesat legjitime të anëtarësisë që SBASHK i ka bërë publike tani e sa kohë”.
“SBAShK shpreh keqardhje për këtë qëndrim të Ministres Nagavci dhe prandaj nesër do të mbahet protesta e 4 paralajmëruar dhe Këshilli Drejtues do të vendosë edhe për veprimet tjera sindikale. SBASHK uron që nesër në kuadër të protestës përfaqësues të MASHTI-t të takohen me udhëheqës të protestës në përpjeke për të arritur marrëveshje të pranueshme për të dy palët”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
