Shumë pika të rendit të ditës nuk janë shqyrtuar në Kuvend këtë javë, shkaku i mungesës së kuorumit. Deputetët nuk marrin pjesë në seanca, ndonëse ka një ligj e edhe një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që e bën të obligueshme këtë pjesëmarrje. Kryeparlamentari Glauk Konjufca synon t’i disiplinojë deputetët, duke i prekur në xhep sa herë mungojnë pa arsye
Prishtinë, 28 nëntor – Kryeparlamentarit Glauk Konjufca jo rrallëherë i duhet ta konstatojë mungesën e kuorumit në Kuvend. Për pasojë, shumë pika të rendit të ditës nuk kanë mundur të shqyrtohen e votohen deri tash.
E njëjta i ndodhi edhe të premten, kur në rend dite ishte zgjedhja e anëtarëve të bordit të transmetuesit publik. Për pasojë, atij iu desh ta mbyllte seancën.
“Unë konstatoj që ky bojkot i një pjese të deputetëve është i qëllimshëm. Nuk ka kushte për t’u votuar bordi i RTK-së. Prandaj mendoj që duhet ta shtyjmë për një mbledhje tjetër”, tha Konjufca. “Faleminderit. Ditën e mirë”.
Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit parlamentar për mandate dhe imunitet, thotë të jetë detyrë e përgjegjësi e deputetit të marrë pjesë në seancë e në mbledhje të komisioneve. Prandaj, ai shtron nevojën për masa ndaj atyre që mungojnë në seanca.
“Pa dyshim se mospjesëmarrja në seanca kur është pa arsye dhe kur nuk është veprim politik, duhet të ndëshkohet edhe financiarisht”, thotë Rrustemi. “Edhe në punimet për hartimin e Rregullores së re kam propozuar shtimin e një neni që ndëshkon financiarisht nga paga bazë deputetët që mungojnë në masën e kompensimit të atyre që marrin pjesë. Mendoj që një gjë e tillë është e nevojshme”.
Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh ndëshkime. Por, të tillat i mundëson Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.
Në nenin 40, listohen detyrimet.
“1. Deputeti është i detyruar të marrë pjesë në seancat plenare dhe në mbledhjet e organeve ndihmëse të Kuvendit, në të cilat ai është anëtar. 2. Organet ndihmëse të Kuvendit nga paragrafi 1 i këtij neni janë të gjitha organet e përhershme ose ad hoc që formohen me vendim të Kuvendit”, thuhet në këtë nen. “3. Deputeti që nuk mund të marrë pjesë në seancat e Kuvendit ose në mbledhjet e organeve ndihmëse të Kuvendit në të cilat ai është anëtar duhet ta njoftojë më kohë kryetarin e Kuvendit, përkatësisht kryetarin, zëvendëskryetarin e atij organi ndihmës, duke prezantuar edhe arsyet për mungesën e tij”.
E neni pasues parasheh sanksionet për ata që s’u përmbahen detyrimeve.
“Nëse deputeti nuk merr pjesë në punimet e seancës plenare ose të organeve ndihmese të Kuvendit, ku ai është anëtar, paga bazë dhe kompensimi shtesë reduktohen. Nga ky reduktim përjashtohen rastet kur deputeti gjendet në detyrë zyrtare në funksionin e tij parlamentar”, thuhet në ligj. “Rregullat e tjera për pjesëmarrjen e deputetit në punime dhe sanksionet e tjera përcaktohen me Rregulloren e Kuvendit ose me një Rregullore të brendshme të Kuvendit”.
Ligji nuk është zbatuar deri tash, e sanksionet nuk janë listuar akoma në Rregullore.
Deputetët opozitarë nuk kanë treguar nëse janë pro zbatimit të këtyre normave, nëpërmjet të cilave u preken pagat deputetëve që mungojnë.
Por, kryepalramentari Konjufca tha javën e shkuar në emisionin DESKU të KTV-së se ai do të jetë i pari që do t’i prekë në xhep deputetët, kur ata nuk marrin pjesë në seanca.
“Masat mund të shkojnë deri edhe në ndaljen e pagës, pjesëve të caktuara, kompensimit”, tha Konjufca. “Po, po, patjetër. Do të shkojmë deri këtu, sepse kemi arritur në një shkallë ku mbi 60 deputetë të Kuvendit të Kosovës po janë të papërgjegjshëm”, u përgjigj ai, kur u pyet nëse deputetët do të prekeshin në xhep.
Një dekadë më parë, Gjykata Kushtetuese në një aktgjykim theksoi se të gjithë 120 deputetët duhet të ndihen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për deputetët, Rregullores së punës së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes, që të marrin pjese në seancat plenare dhe të përkrahin procedurat që parashihen aty, por mbi të gjitha, një obligim vis-a-vis për njerëzit e Kosovës që i zgjodhën ata.
Deri tash, ligjvënësit kanë shpërfillur edhe aktgjykimin e Kushtetueses e edhe dokumentet ligjore që ua bëjnë të obligueshme pjesëmarrjen në seanca.