Arbëri

Nënshkruhet marrëveshja me prodhuesin turk për fabrikën e municioneve në Kosovë

Nenshkrimi i marreveshjes per fabriken e municioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është nënshkruar kontrata me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi" (MKE), për të vënë në funksion fabrikën e municioneve në Kosovë. 
Pos prodhimit të dy llojeve të municioneve, në fabrikë do të bëhen edhe dizajne të dronëve luftarakë. 

Po ashtu përfshihet edhe trajnimi i stafit në kuadër kontratës. 

Pas funksionalizimit, fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore e Republikës së Kosovës, thuhet nga Kryeministria.

"Ne kemi bërë ushtrime bashkë me ushtrinë e Turqisë, kemi blerë pajisje, municione dhe armatime që prodhon Turqia, e tash është koha që edhe të prodhojmë bashkë në vendin tonë", tha Kurti në takimin me delegacionin nga MKE që u zhvillua pak para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.

E Kurti ka shkruar për marrëveshjen edhe në Facebook. 
“Sapo nënshkruam kontratë me prodhuesin shtetëror turk 'Makine ve Kimya Endüstrisi' (MKE), me të cilën po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes.   MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s. Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, ka shkruar Kurti në Facebook. 

Marrëveshjen e ka komentuar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

"Tash, Republikës sonë po i’a sigurojmë edhe kapacitetet e nevojshme për prodhimin e municionit. Potencialin tonë të ndrydhur prej shumë vitesh po e çlirojmë. Kosova jonë po ngritet, e fortë dhe e sigurtë", ka shkruar Sveçla në Facebook.